Thaçi në nderim të të rënëve në Çanakkale

TË FUNDIT

Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, nga Sllovenia sot ka udhëtuar për në Turqi, ku do të marrë pjesë në shënimin e 100-vjetorit të Betejës së Çanakkalasë. Sipas asaj ka postuar në Facebook, ai do të nderojë shqiptarët e rënë në betejën e Gallipolit.

 “Kam obligim të përkulem para varrezave memoriale se mijëra e mijëra shqiptarë edhe nga Kosova kanë derdhur shumë gjak në këto fushëbetejat e fundit të përgjakshme Perandorisë Otomane. Me pikëllim do të përkulem eshtrave të tyre. Me pikëllim dhe zemër të thyer do ta kujtoj shekullin e kaluar të errët kur aq shumë prej neve u vranë në luftëra anembanë botës por ne mbetem në robëri.”, shkruan ndër tjerash Thaçi.

Zëvendëskryeministri Thaçi do të jetë në mesin e presidentëve dhe ministrave të shteteve nga e gjithë bota. Nikoqir i ceremonive do të jetë presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa pjesë e tyre do të jenë edhe kryeministrat nga Australia dhe Zelanda e Re, si dhe liderë nga shumë shtete të tjera. Në qytetin-port të Çanakkalasë, zëvendëskryeministri Thaçi do të merr pjesë në ceremoninë në Monumentin e Mehmetçikut, i cili i kushtohet ushtarit turk për të cilin thuhet se kishte shpëtuar një ushtar britanik gjatë Betejës së Çanakkalasë. Më pas, ai do të jetë i pranishëm edhe në ceremoninë në Monumentin Helles, i cili njëherësh i kushtohet betejës së Komonuellthit përgjatë gjithë Betejës së Çanakkalasë dhe shërben si vend i përkujtimit të shumë ushtarakëve të Komonuelthit që kanë vdekur atje, por që nuk u dihen varret.

Beteja e Çanakkalasë ishte një nga betejat më të ashpra të Luftës së Parë Botërore, e cila u zhvillua në Gadishullin Gelibolu në Perandorinë Osmane në mes 25 prillit 1915 dhe 9 janarit 1916. Data e zbarkimit, 25 prilli, njihet edhe si “Dita e Anzakëve” që shënon përkujtimin më të rëndësishëm të viktimave ushtarake të Australisë dhe Zelandës së Re. /21 MEDIA