Pas intervistimit prej tetë orëve, për të katërtën ditë me radhë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mbrëmë u largua nga ndërtesa e Prokurorisë Speciale në Hagë, kur deklaroi se u ishte përgjigjur të gjitha pyetjeve të Prokurorisë Speciale, gjatë periudhës që mbulon mandati i Prokurorisë Speciale Publike.
“Jam shumë i lumtur që kam pasur mundësinë të dëshmoj për katër ditë për të gjitha çështjet në lidhje me aktivitetet e mia gjatë luftës dhe përpjekjet e mia për paqen, stabilitetin, zhvillimin dhe përparimin. Gjatë këtyre katër ditëve, unë kam qenë në gjendje të ofroj informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mia gjatë luftës”, u tha Thaçi gazetarëve në transmetimin e drejtpërdrejtë në televizionin e Kosovës.
Ai vlerësoi se këto janë intervistime produktive, ndërsa tani i takon prokurorëve dhe gjyqtarëve të vendosin në mënyrë të paanshme.
“Nëse ata e bëjnë atë profesionalisht, ata lehtë mund të konkludojnë se unë nuk kam kryer kurrfarë krime lufte”, tha Thaçi.
Ai tha se lufta e UÇK-së ishte për liri dhe e drejtë dhe se ata kishin mbështetjen e tërë botës.
Prokuroria Speciale kumtoi më 24 qershor se ka ngritur aktakuzë kundër Thaçit dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli dhe tetë individëve tjerë anonimë dhe se ata janë akuzuar “për krime kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës”.
