20 vite kundër politikave të BDI-së tashmë kryetari i PDSH-së ka ndërruar mendje. Mbrëmë në Click Plus deklaroi se po e mbështet BDI-në pasi në opinion dolën zërat se po përgatitet një shumicë e re parlamentare. Siç thotë të shtunën ishte takuar me Ahmetin dhe kanë biseduar me orë të tëra. Madje siç thotë me Ahmetin janë marrë vesh do t’u japë drejtori në institucione lokale në disa komuna.
“Unë kam marrëveshje me BDI-në dhe marrëveshja është afatgjate, është me anekse dhe nuk është afatshkurtër. Aneksi i parë me BDI-në nënkupton që një numër i konsiderueshëm i kuadrove të PDSH-së do të drejtojnë institucione lokale në disa komuna por me shumicë absolute në komunën e Tetovës për shkak të përkrahjes që jep PDSH-ja kandidatit të BDI-së”, tha Thaçi.
Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani nuk i pohoi e as mohoi deklaratat e Thaçit për ndarje të drejtorive dhe largimin e Lëvizjes Besa nga Qeveria. Vetëm u përgjigj shkurt se të hënën do të dalin me qëndrim.
“Të hënën do t’i prezantojmë të rejat në këtë drejtim”, tha Osmani.
Por se përse ndërroi mendje Thaçi pas gjithë këtyre viteve kundër BDI-së?
“Unë jam marrë vesh me BDI-në që bashkërisht duhet ta ndërpresim rrugën e legjitimimit nëpërmjet forcave politike maqedonase që po e bëjnë Bilali dhe Zijadini. Në rend të parë unë e përkrahi BDI-në dhe gjatë fushatës kam qenë konzistent në këto deklarime. Kam deklaruar gjatë fushatës se gjersa unë veproj politikisht me frymë nuk do të lejoj asnjëherë që Zijadini tradhtari që tradhtoi ekipin e vet familjen e vet që t’i fiton zgjedhjet”, tha Thaçi.
Thaçi ka shtuar se Bashkimi Demokratik për Integrim ka arritur fitore spektakolare edhe në këtë cikël zgjedhor duke e mbytur opozitën. Sipas tij me votat e fituara në këto zgjedhje lokale BDI mund t’i fitojnë 21 deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.