“Vdekja e albanologut Skënder Gashi është një humbjee për familjen Gashi dhe të gjithë ne”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shprehur ngushëllime zëvendëskryeministrit Dardan Gashi si dhe familjes së gjerë Gashi me rastin e humbjes së më të dashurit të tyre, Skënder Gashi.
Thaçi ka theksuar se Gashi edhe pse jetonte në Vjenë gjithmonë ishte në shërbim të kauzës sonë për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.
“Vdekja e albanologut dhe atdhetarit Skënder Gashi është një humbje e madhe për familjen Gashi dhe të gjithë ne“, ka shkruar Thaçi në facebook.
Skënder Gashi ka vdekur sot në moshën 77 vjeçare, ai njihet si njëri prej studiuesve të zellshëm të albanologjisë. Gashi ishte i doktoruar në Salzburg ku mbrojti tezën e disertacionit për emrat e shqiptarëve gjatë shekujve XIV-XV, sipas burimeve kishtare serbe.
Ndër veprat e tij më të njohura janë: “Fjalori toponimik kronologjik i Kosovës në vendbanime ekzistuese dhe vendbanime të zhdukura” në dy vëllime, ishte bashkautor i “fjalorit të fjalëve dhe shprehjeve popullore”, pastaj autor i veprës “Kërkime onomastike-historike për minoritete të shuara e aktuale të Kosovës”. /21Media
.
