Thaçi e Haradinaj deklarohen pak para Samitit

TË FUNDIT

Krerët e shtetit, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj po qëndrojnë në Berlin, ku do të marrin pjesë në Samitin e Berlinit i thirrur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Sot, krerët e shtetit, Thaçi e Haradinaj kanë zhvilluar takim me zyrtarët e ambasadës së Kosovës në Berlin. Të dy e kanë quajtur të rëndësishëm Samitin e Berlinit.

Të pyetur rreth një draft-dokumenti që ka qarkulluar gjatë ditës së djeshme, me të cilin Kosova e Serbia zotohen për angazhim në dialog, ata mohuan të jenë në dijeni për një dokument të tillë.

“Nuk ka një draft, a një dokument as të dakorduar as të informuar paraprakisht, por ajo që është me rëndësi e që e kemi thënë çdo herë, Kosova i ka qëndrimet e veta dhe besoj që edhe sonte do të jemi në nivel të përgjegjësive tona”, shtoi Haradinaj.

Presidenti i vendit i pyetur se a do të pranojë një draft-marrëveshje ku përfshihet edhe korrigjimi i kufijve, ai ka deklaruar se është kundër shkëmbimit të territoreve, por e mbështet idenë që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.

“E theksoj, nuk ka dialog e negociata pa SHBA-të, Kosova vend i pavarur e sovran, Preshevë, Medvegjë, Bujanovc kanë me kon me Kosovë, krejt mirë ka me u bo”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërsa, kryeministri ka falënderuar kancelaren Merkel që sipas Haradinajt, nuk e ka mbështetur idenë e korrigjimit të kufijve, e që ka deklaruar se hapja e temës së kufijve e kthen Kosovën mbrapa.

Ndryshe, Liderët e Ballkanit Perëndimor do të mblidhen së bashku sot në Berlin, me ftesë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron. Samiti do të vijojë me diskutimet për raportet e ndërfqinjësisë dhe mundësitë e pajtimit, nga ku do të kërkohet vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi. Merkel dhe Macron do të dëgjojnë nga udhëheqësit e Ballkanit këndvështrimet e tyre dhe propozimet sesi mund të avancojë dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. Kosova do të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj./21Media