Tetovë: Nga 1 mijë euro për familjet e viktimave

TË FUNDIT

Këshilli komunal i Tetovës shpalli gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e saj, ndërkohë shpalli si ditë zie, 5 dhe 6 gushtin. Nga 1000 euro është ndihma e parë që iu caktua familjarëve të viktimave, ndërsa këshilli i emergjencës në bashkëveprim me Qeverinë dhe institucionet e tjera thanë se do të nisin menjëherë vlerësimin dhe dëmshpërblimin për dëmet materiale.

Qytetit të Tetovës i ka dalë në ndihmë edhe Komuna e Gostivarit dhe qyteti i Shkupit. Kreu i Qytetit, Koce Trajanovski vizitoi Tetovën dhe ndoqi aksionin e pastrimit që kanë ndërmarrë ekipi i Qytetit të Shkupit, punonjësit dhe makineritë e të cilëve janë vënë në dispozicion dhe në ndihmë të kolegëve të Tetovës.

“Sot gjithashtu lëshuam edhe cisterna për larjen e rrugëve dhe kanë ardhur 37 punëtorë me pajisje të plotë. Tani këtu, Higjiena Komunale do të sjellë edhe makina të vogla për pastrimin e rrugëve”, tha Koce Trajanovski, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Autoritetet komunale të Tetovës kanë vlerësuar se në fshatrat Reçicë e Vogël, Poroj, Gjermë dhe afër banjës së Tetovës uji aktualisht nuk është i pijshëm. Është bërë apel që të përdoret vetëm uji i ambalazhuar. Gjithashtu, komuna iu ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të ndihmojnë në çfarëdo forme të gjithë atyre që kanë nevojë për ndihmë, përmes donacioneve, ushqimeve, ujit dhe preparateve higjienike, ose të marrin pjesë vullnetarisht në procesin e pastrimit të rrugëve, oborreve dhe shtratit të lumit në zonat kritike të dëmtuara nga vërshimet.