Tetova pa semaforë në rrugët kryesore, rrezikohet jeta e këmbësoreve!

TË FUNDIT

Në rrugën industriale në Tetovë shtohen kërkesat e qytetarëve për një mbikalim ose nënkalim. Kur këtij problemi i shtohet edhe mungesa e semaforëve, atëherë rreziku për kalimtarët është i vazhdueshëm. Pasi që kjo rrugë është e drejtë dhe pa pengesa, shpeshherë shndërrohet në pistë për gara. Sipas qytetarëve, në këtë rrugë mungojnë edhe patrullat policore. Këto defekte po i shfrytëzojnë shoferët e papërgjegjshëm që ngasin automjetet jashtë normave të parapara.

Disa kalimtarë rasti, për Televizionin 21 tregojnë se në këtë rrugë ka pasur shumë aksidente duke përfshirë edhe fëmijët. “Asnjëherë nuk janë në rregull. Ka rrezik për këmbësorët sidomos, shumë rrezik është. Më shumë kalojnë fëmijë e pleq po edhe të rinjtë”…”Çdo ditë ka rrezik, se vozitja është e shpejtë, nxënësit e shkollës janë të vegjël, prindërit janë të angazhuar gjithmonë që t’i çojnë në shkollë edhe t’i kthejnë nga shkolla”…”Ka pasur plot raste që kanë shkelur fëmijë. As policia nuk vjen asnjëherë që të mase shpejtësinë ose të ndërmerr diçka konkrete”…”Patjetër një rrethore të ndërtohet, duhet të ndërmerren masa dhe sa ma shpejt të behët ajo, si e shihni edhe ju vet, çfarë shpejtësie ka kjo rrugë, është rruga më e rrezikshme në komunën e Tetovës”, shprehen qytetarët.

Drejtori i Sektorit për Komunikacion në Komunën e Tetovës, Hysein Demiri thotë se mirëmbajtjen e semaforëve e ka një kompani private. Ai nuk është i kënaqur me punën e kompanisë dhe thotë se e ka obliguar atë që sa më shpejt të bëhet rregullimi i semaforëve të prishur.  “Një ndërmarrje nga Shkupi  që quhet “Elektro Soft” e ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e sinjalistikës dhe është e obliguar që brenda 1 viti çdo defekt ose çdo prishje që paraqitet në sinjalizimin horizontal ose vertikal duhet të intervenojë që të sanohet kjo. Me punët e kësaj ndërmarrje nuk jemi të kënaqur sepse nuk kanë qenë efektiv, prandaj ua kam lëshuar vërejtjen bashke me urdhëresën për punë dhe presim që nesër ose pasnesër t’i zgjidhin problemet”, theksoi Demiri.

Ai gjithashtu tha se qytetarët dhe sidomos prindërit e fëmijëve që kalojnë çdo dit aty pari, është kërkuar edhe nja mbikalim. Sipas drejtorit të sektorit për komunikacion, nuk ka kushte, por edhe po të bëhet kjo, nuk do të ishte funksionale. “Kushtet nuk na mundësojnë që të ketë mbikalim ose nënkalim aty; dhe nga përvojat e deritanishme ku kanë bërë mbikalime deri tani tregojnë se mbikalimet nuk shfrytëzohen. Prandaj, mendoj se për tejkalimin e problemeve të tilla duhet ndërgjegjësimi i ngasësve të makinave dhe funksionimi më sa më i mire i policisë së komunikacionit”, vlerëson Demiri.

Përveç këmbësorëve, të rrezikuar janë edhe shoferët  që kalojnë poshtë këtij semafori me automjete. Vetëm 1 kilometër më larg gjendet edhe semafori tjetër, i cili nuk punon. Mirëpo, sipas drejtorit, brenda 48 orëve çdo gjë do të rregullohet.

Besian Leka