Tetë muaj pa transport publik drejt Pallatit të Drejtësisë

TË FUNDIT

Ndonëse ka tetë muaj që Pallati i Drejtësisë në Hajvali ka filluar punën, transporti publik, nga ana e Komunës së Prishtinës për qytetarët dhe punëtorët nuk është siguruar ende.

Rruga nga Prishtina deri në Hajvali mundësohet me vetëm dy autobusë gjatë gjithë ditës, një në mëngjes, në orën 07:30, dhe tjetri pasdite në orën 16:00. Në rast se nuk arrihen këta autobusë, zgjidhje tjera nuk ka. Opsion mbeten vetëm taksitë dhe veturat private.

Për sa kohë që trafiku urban në atë pjesë të Prishtinës nuk është funksional, punëtorët bashkë me qytetarët, të cilët shkojnë për ndonjë punë në Pallat të Drejtësisë, thonë se jo çdo njëri ka veturë personale, kurse çmimet e taksive janë të papranueshme. Sidomos kur pos rrugës ardhëse duhet bërë edhe rruga kthyese. Vetëm një rrugë deri atje, kushton 4 ose 5 euro, ndërsa të dy rrugët deri në 10 euro, çmim ky shumë i lartë për standardin kosovar.

Muhamet Hajdari, njëri nga qytetarët, se transporti deri aty është shumë i vështirë dhe i kushtueshëm kur dihen kushtet në Kosovë . Sipas tij, kur është vendosur që gjykata të jetë këtu, është dashur të sigurohet edhe transporti publik.

I të njëjtit mendim është edhe kryetari i Sindikatës së Judikaturës së Kosovës, Asllan Resunofci. Ai tha se ardhja deri këtu është zgjidhje e qytetarit apo punëtorit, sepse askush tjetër nuk merr përgjegjësi për këtë.

Sipas Resunofcit, qysh para 8 muajve kur ka filluar puna në këtë Pallat, është thënë se do të sigurohet transporti publik, por megjithatë ende nuk është bërë ndonjë zgjidhje.

Resunofci thekson se nuk janë vetëm punëtorët ata që ballafaqohen me problemin e transportit por edhe qytetarët të cilët vijnë për shërbime. Ai pohon se është e pakuptimtë që shteti të mos interesohet për 600-700 punëtorë.

Kurse, zyrtarët komunal të Prishtinës, mohojnë se kjo rrugë është pa transport publik. Xhevdet Pozhari nga komuna thekson se deri më sot nuk ka pasur asnjëherë kërkesë zyrtare për transport deri në Pallat të Drejtësisë. Megjithatë, sipas tij, është operatori i cili operon deri në Shashkovc, e që mund të bëjë edhe bartjen e punëtorëve.

Punëtorët e Pallatit të Drejtësisë ditë më parë përfunduan grevën, e cila u mbajt pikërisht për shkak të transportit të punëtorëve, i cili ende nuk po zgjidhet.

Ata paralajmëruan që në rast se kjo çështje nuk zgjidhet shpejt, do të vazhdojnë përsëri me grevën, pasi që kjo gjendje është shumë e vështirë dhe e kushtueshme për punëtorët.