Nga sot deri më 31 janar do të kryhet testimi, kalibrimi dhe verifikimi i pajisjeve të vendosura për mbikëqyrje të trafikut në kuadër të projektit “Safe City”. Nga MPB njoftojnë se testimet do të realizohen çdo ditë, nga ora 08:00 deri në 20:00, nga ku apelojnë tek vozitësit që gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve nuk do të lejohen të kalojnë automjetet derisa të përfundojë procedura. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, në emisionin Click Plus njoftoi se gjobat do të përmbajnë fotografi, që do të tregojnë nëse shoferi ka pasur të vendosur rripin e sigurisë ose nëse ka përdorur telefonin gjatë drejtimit të automjetit.
“Me vet faktin që në të dhënat do të nxjerren gjobat tash në formë të vërejtjes që tash vijnë në formë të shkruar, normal do të kemi edhe fotografi, konkretisht do të mund të shihet nëse drejtuesi i makinës a ka pas rrip të sigurisë”, tha Astrit Iseni – zv.ministër i Punëve të Brendshme.
Iseni bëri të ditur se ligji parashikon toleranca të vogla të shpejtësisë për drejtuesit e automjeteve: Për shpejtësi deri në 100 km/h, lejohet një tolerancë prej 6 km/h pa gjobë, ndërsa mbi 100 km/h toleranca është 8 km/h.
“Toleranca në 100 km do të thotë se do të jetë 6 km/h, kështu që sa të kemi sinjalistikë me 50 km/h, e lejuar shpejtësia, atëherë deri në 6 km/h nuk do të kemi gjobë të paraparë për drejtuesit e automjeteve. Prej 57 e lart do të kemi gjobë. Mbi 100, atëherë do të kemi tolerancë 8 km/h, që nënkupton se shpejtësia e lejuar në orë 100 deri në 108 nuk do të gjobitet”, u shpreh Astrit Iseni – zv.ministër i Punëve të Brendshme.
Iseni njoftoi se qytetarët do të kenë mundësinë të paguajnë gjobat, si në mënyrë online, ashtu edhe në stacionet më të afërta policore. Gjobat do të jenë të përgjysmuara nëse paguhen brenda 8 ditëve. Pas këtij afati, ato duhet të paguhen në shumën e plotë, përndryshe do të dërgohen në gjykatë. Ai gjithashtu theksoi. Iseni njoftoi se gjobat do të jenë të disponueshme edhe në gjuhën shqipe.
