Shkencëtarët grekë, përmes programit të Ministrisë së Zhvillimit dhe Investimeve të Greqisë, përgatitën testin e parë grek të antigjenit të shpejtë (rapid antigen test) për Kovid-19, njofton korrespodentja e MIA-s nga Athina.
Nga Ministria e Zhvillimit dhe Investimeve të Greqisë, theksojnë se ky është “sukses shumë i madh për komunitetin shkencor/kërkimor grek” dhe thotë se Organizata e Pronësisë Industriale ka paraqitur tashmë një kërkesë për patentë për shpikjen.
Ata shtojnë se programi i hulumtimit është në fazën e gjetjes së një kompanie për prodhimin masiv të antitrupave monoklonale dhe vendosjen e tyre në një membranë të veçantë për të krijuar testin e shpejtë për antigjenin.
Programi konkret i ministrisë i cili kushton rreth 2,9 milion euro, ishte menduar për projekt kërkimor për një studim epidemiologjik të koronavirusit dhe morën pjesë dhjetë fondacione, institute, qendra kërkimore, fakultete mjekësore, etj.
Zëvendësministri i Zhvillimit dhe Investimeve të Greqisë, Hristos Dimas, thotë se kjo është një arritje e madhe.
“Sot ne po shënojmë një sukses të madh për komunitetin shkencor grek. Që në momentin e parë, ne patëm vizion për zhvillimin e “testit grek” si një mjet për tejkalimin e krizës shëndetësore. Test që brenda pak minutash dhe me siguri mund të informojë nëse ata që do ta bëjnë atë, janë bartës të virusit apo jo”, thotë Dimas.
