Tërnava: Lirimi i masave e bëri më madhështor Kurban Bajramin

TË FUNDIT

Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, myftiu i Kosovës Naim Tërnava ka dërguar mesazh për besimtarët myslimanë.

Tërnava u shpreh se festat fetare vazhdimësi kanë kultivuar begati shpirtërore para atyre materiale.

Ai ka theksuar se Festa e Kurban Bajramit është një ndër momentet më të rëndësishme të besimtarëve myslimanë.

“Festat e Bajramit si për nga karakteri ashtu edhe për nga ndikimi janë festat më popullore të besimtarëve myslimanë ngase në këto festa besimtarët përjetojnë shpirtërisht e emocionalisht afërsinë me krijuesin, ngrohtësinë e familjes e farefisit, respektin e mirëkuptimin për tjetrin ndihmë dhe përkrahën për vëllain dhe për atë që ka nevojë[…]Festa e Kurban Bajramit është një ndër momentet më të rëndësishme të besimtarëve myslimanë që e karakterizon therja e kurbanit që është ibadet i rëndësishëm për besimtarët dhe kryerja e haxhit si kusht i islamit[…] Fatkeqësisht edhe këtë vit besimtarëve tanë përshkak të gjendjes pandemike nuk iu është mundësuar që të udhëtojnë në vendet e bekuara të Mekës dhe Medinës por shpirtërisht e ndjejmë aromën e atyre vende dhe mbetemi me shpresë që vitin tjetër të jemi atje për t’iu lutur krijuesit të gjithësisë”, tha Tërnava.

Këtë festë sipas Tërnavës më madhështore e bënë edhe lirimi i masave antiCOVID-19.

“Edhe më madhështore Festën e Kurban Bajramit e bënë lirimi i masave antiCOVID e në veçanti prania e mërgatës sonë që e begaton festën dhe e forcon institucionin familjes”, u shpreh Tërnava.

Ai është lutur edhe për të prekurit nga vërshimet që ndodhën në Evropë.