Tërmeti tragjik në Turqi, nisin hetimet për 612 ndërtues, pronarë e menaxherë shitjesh

TË FUNDIT

Nisin hetimet për më shumë se 600 persona, në lidhje me ndërtesat që u shembën gjatë tërmetin katastrofik në Turqi, në fillim të këtij muaji. Kjo u bë e ditur nga një zyrtar qeveritar. Ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag, tha se 184 nga 612 të dyshuarit ishin burgosur në pritje të gjykimit. 

Personat në paraburgim përfshijnë kontraktorë të ndërtimit dhe pronarë ose menaxherë të ndërtesave, tha ai në një koment televiziv nga një qendër koordinimi në Dijarbakir në Turqinë juglindore.

“Zbulimi i provave në ndërtesa vazhdon si bazë për hetimin penal”,- shtoi Bozdag.

Pas tërmetit me magnitudë 7.8 të 6 shkurtit, i cili çoi në gati 48,000 të vdekur në Turqinë jugore dhe Sirinë veriore, turqit vënë në dyshim integritetin strukturor të shumë prej 173,000 ndërtesave që u shembën ose u dëmtuan rëndë.

Ekspertët kanë thënë se shumë struktura të rrëzuara janë ndërtuar me materiale dhe metoda inferiore dhe shpesh nuk janë në përputhje me standardet e qeverisë.  Partitë opozitare kanë akuzuar administratën e presidentit, Rexhep Tajip Erdogan, për dështim në zbatimin e rregulloreve të ndërtimit.

Kryetari i një qyteti afër epiqendrës së tërmetit u arrestua si pjesë e një hetimi për ndërtesat e shembura, njoftuan të shtunën gazeta Cumhuriyet dhe media të tjera.

Okkes Kavak, i cili kryeson distriktin Nurdagi në provincën Gaziantep dhe është anëtar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të Erdoganit, thuhet se nuk ka arritur të sigurojë inspektimet e duhura për ndërtimet. AFAD, agjencia turke e menaxhimit të fatkeqësive, tha se 9,470 pasgoditje kishin goditur rajonin e prekur nga tërmeti.

“Kjo do të vazhdojë për një kohë të gjatë. Ne presim që këto pasgoditje të zgjasin për të paktën dy vjet,”- tha drejtori i përgjithshëm i AFAD, Orhan Tatar, në një konferencë për media në Ankara. 

Ai tha se një tërmet me magnitudë 5.3 që goditi Borin, një qytet rreth 150 milje (rreth 245 kilometra) në perëndim të epiqendrës së 6 shkurtit, u konsiderua “i pavarur” nga lëkundjet e mëparshme. Apnews