Dy persona mbrëmë me ekskavatorë kanë hyrë në oborrin e poliklinikës Bit Pazar me qëllim për të ndërtuar edhe një parking ilegal për vetura. Punimet kanë filluar rreth orës 19:00 atëherë kur nuk ka pacientë dhe ka lëvizje të ulët të qytetarëve. Drejtori i Shtëpisë Shëndetësore në Shkup, Viktor Isjanovski, thotë se sapo ka marrë njoftimin e ka lajmëruar MPB-në dhe personalisht ministrin Oliver Spasovski.
“Menjëherë sapo u informova për rastin, u paraqita në MPB dhe personalisht te ministri Oliver Spasovski. Menjëherë u intervenua dhe sipas informacioneve të mia janë arrestuar dy persona. Nuk e di çfarë kanë patur për qëllim të ndërtojnë, por kjo gjë është e paimagjinueshme, dikush ilegalisht të futet në institucion publik dhe të fillojë të ndërtojë”, tha Viktor Isjanovski – Drejtor i Shtëpisë Shëndetësore Shkup.
Edhe Ministri i brendshëm Oliver Spasovski e konfirmoi rastin duke njoftuar se dy persona tanimë janë arrestuar dhe me procedure të përshpejtuar do të paraqiten para gjykatësit. Spasovski bëri me dije se askush nuk guxon të uzurpojë tokë të huaj, qoftë ajo private apo shtetërore.
“Kjo do të thosha është përpjekje për uzurpim dhe ndërtim. Askush nuk guxon ta shkelë pronësinë qoftë ajo shtetërore apo private. Është paraqitur në polici. Kemi dalë në vendngjarje, janë arrestuar dy persona nga Shkupi dhe është njoftuar prokurori publik. Me urdhër të prokurorit publik është konfiskuar makineria ndërtimore dhe gjatë ditës së sotme po procesuohet kallëzimi penal dhe do të shkojë me procedurë të përshpejtuar dhe personat do të paraqiten para gjykatësit të procedurës paraprake. Është e qartë se me rrënimin e një pjese të gardhit ata kanë dashur të uzurpojnë tokë ndërtimore dhe për këtë është ngritur procedurë për dy vepra dhe ato janë uzurpim dhe ndërtim ilegal”, tha Oliver Spasovski – Ministër I Punëve të Brendshme.
Përndryshe poliklinika e Bit Pazarit është e rrethuar e tëra nga parkingjet ilegale të cilat nuk japin llogari për pagesën e parkimit. Viteve të fundit u privatizuan edhe parkingjet e vet poliklinikës. Aty u vendosën edhe shitësit e luleve por në ditë të caktuara të javës para hyrjes shiten madje edhe pula e lepuj.