Tensione në Eurovision: Sigurimi largon protestuesit pro-palestinezë në Vjenë

TË FUNDIT

Në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje nga salla Wiener Stadthalle në Vienna, ku sigurimi i Eurovisionit largon disa persona nga publiku pas thirrjeve dhe mesazheve pro-palestineze gjatë mbrëmjes.

Sipas videove, gjatë performancës së përfaqësuesit izraelit Noam Bettan janë dëgjuar thirrje si “Jo gjenocidit” dhe “Liri Palestinës”, ndërsa disa të pranishëm pretendojnë se ai u prit edhe me fishkëllima.

Në një tjetër video shihet momenti kur sigurimi ndërhyn ndaj një të riu që po brohoriste “Liri për Palestinën”. Pasi ai vazhdoi thirrjet, një pjesëtar i sigurimit e rrëzon në tokë, ndërsa roje të tjerë afrohen pranë tij.

Janë publikuar edhe pamje të tjera ku sigurimi largon dy persona të tjerë që, sipas përdoruesve në rrjetet sociale, brohorisnin “Stop gjenocidit” dhe “Liri Palestinës”.

Ngjarja ka nxitur debat online: një pjesë e publikut e konsideron shkelje të rregullave të Eurovisionit që ndalojnë mesazhet politike, ndërsa të tjerë e shohin si shprehje mbështetjeje për civilët në Gaza.

Para nisjes së gjysmëfinales së parë në Vjenë u mbajtën edhe protesta kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision, me flamuj palestinezë dhe pankarta mbështetëse.