Tenistët rusë dhe bjellorusë nuk do të lejohen të marrin pjesë në turneun Wimbledon të këtij viti për shkak të luftës “së pajustifikuar” të Moskës në Ukrainë, thanë organizatorët.
“Në rrethanat e një agresioni ushtarak të tillë të pajustifikuar dhe të paprecedentë, do të ishte e papranueshme për regjimin rus që të përfitonte nga përfshirja e lojtarëve rusë ose bjellorusë në Kampionat”, thanë Klubi i Gjithë Anglisë dhe Komiteti i Menaxhimit të Kampionatit në një deklaratë.
“Prandaj synimi ynë është, me keqardhje të thellë, të refuzojmë hyrjen e lojtarëve rusë dhe bjellorusë në Kampionatin 2022”.
Ian Hewitt, kryetari i Klubit të Gjithë Anglisë, pranoi se kjo është “e vështirë për individët e prekur dhe është pikëlluese që ata do të vuajnë për veprimet” e të tjerëve.
Nëse rrethanat ndryshojnë materialisht nga tani deri në qershor, ne do të shqyrtojmë dhe do të përgjigjemi në përputhje me rrethanat, shtohet në deklaratë.
Wimbledon është një nga katër turnetë vjetorë të mëdhenj të tenisit (Grand Slam) në mbarë botën. Ai do të fillojë më 27 qershor dhe do të zgjasë deri më 10 korrik.
Sportistët dhe ekipet ruse janë pezulluar nga disa organe sportive për shkak të luftës që filloi më 24 shkurt.
Bjellorusia, aleate e Rusisë, ka mohuar përfshirjen në “operacionin special ushtarak” të Moskës.
