Fëmijë të shoqëruar nga prindërit e tyre shfaqin gëzimin me rastin e rihapjes së dyerve të Teatrit të Fëmijëve në Çarshinë e Vjetër. “Në botën e fabulave” është premiera e parë e shfaqur, pas marrëveshjes ndërmjet Drejtorisë së Teatrit dhe Komunës së Çairit.
Kjo e fundit ka marrë vendim që të mbështes financiarisht Teatrin e Fëmijëve, i cili graviton në territorin e kësaj komune. Sipas drejtorit Bajrush Mjaku, fëmijët shqiptar tani kanë mundësinë që rregullisht të ndjekin shfaqjet dhe gjithë kjo do ti mundësohet pa pagesë.
“Në të ardhmen, prej kësaj shfaqje e tutje, Qendra Teatrore për Fëmijë do të vazhdoj të funksionoj, siç ka funksionuar që 15 vite. Por në kuadër të këtij objekti të cilin e posedojmë, nën ingerencen e Komunës Çair, do të startojmë me punë, në teatër për fëmijë në gjuhën shqipe, që është i vetmi në Republikë”, tha Bajrush Mjaku.
Në mesin e të pranishmëve ishte edhe Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, i cili tha se ka qenë e domosdoshme të shtohen aktivitetet kulturore për fëmijët shqiptarë. Ai premtoi mbështetje financiare për këtë teatër, që do të funksionojë në kuadër të komunës.
“Me kohë vërejtëm që ka mungesë të shfaqjeve të reja dhe nuk ka aktivitete kulturore për fëmijët e komunës sonë. Andaj vendosëm që kjo iniciativë mos të dështoj dhe për këtë arsye, në bashkëpunim me Teatrin e Fëmijëve, vendosëm që t’i bashkojmë forcat”, kështu u shpreh Kryetari i Komunës, Izet Mexhiti.
Premiera e kësaj shfaqje bëri hapin fillestar të Qendrës Teatrore të fëmijëve, në një frymë të re bashkëpunimi dhe funksionimi përmes aktiviteteve të reja në gjuhën shqipe.
