“Të zëshëm dhe krenarë” – Skopje Pridemë 24 qershor mbahet parada e krenarisë nga LGBTI

TË FUNDIT

Nën moton “Të zëshëm dhe krenarë”, sivjet në Shkup për herë të katërt do të mbahet parada e krenarisë, në organizim të Rrjetit nacional kundër homofobisë dhe transfobisë. Parada do të mbahet më datën 24 qershor, duke filluar nga ora 17:00 në parkun e gruas përballë Kuvendit. Nga bordi i “Skopje Pride” ankohen se po përballen me mobilizim të fuqishëm negativ kundër tyre, veçanërisht nga krerët fetarë dhe politikanëve populistë.


“Ajo që sivjet dallon nga vitet tjera në kontekstin që e organizojmë paradën është se po vërejmë mobilizim të fuqishëm negativ nga ana e liderëve fetarë, politikanëve populistë dhe konzervativ si dhe lëvizjeve antigjinore kundër LGBTI-së veçanërisht kundër ndoshta pjesës më të prekur dhe më të margjinalizuar të kësaj shoqërie, njerëzve transgjinorë”, tha Irena Cetkoviq – pjesë e bordit organizues.


Angel Dimitrievski nga Skopje Pride shprehet se personat e shoqërisë LGBTI, vendin e braktisin për shkak se nuk janë të sigurt për jetën e tyre dhe nuk mund të jenë vetvetja.

“Duke perceptuar këtë, jemi të vetëdijshëm se të rinjtë e braktisin vendin jo vetëm për shkaqe ekonomike. Të rinjtë e LGBTI-së ikin nga shteti për shkak se u nevojitet hapësirë në të cilën do të jetojnë jetë të sigurt ku do të jenë të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre e ku nuk do të jetojnë jetë në ngërç”, theksoi Angel Dimitrievski – pjesë e bordit organizues.


Nga Skopje Pride janë të vetëdijshëm për rrezikun që u kanoset nga incidentet gjatë marshit por, komunikimi me organet kompetente të sigurisë ua lehtëson barrën që gjithçka të shkojë mirë.

“Kemi parasysh se situata nuk është e shkëlqyeshme dhe se kjo ngjarje do të bartë ndonjë rrezik me vete por komunikimi në kohë me institucionet e sistemit, neve në një mënyrë na garantohet se sivjet ashtu si edhe vitet e kaluara, gjithçka do të kalojë në paqe”, shtoi Cetkoviq.


Parada fillon te parku i gruas në Qendër, vazhdon përskaj Qeverisë, për të vazhduar deri te stadiumi i ARM-së ku do të ketë program muzikor.