Të shtunën, Lugina e Preshevës themelon Asociacionin – si serbët në Kosovë

TË FUNDIT

Udhëheqësit shqiptarë të Luginës së Preshevës tashmë kanë vendosur që të shtunën, në një mbledhje të përbashkët të këshilltarëve shqiptarë të tri komunave – Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – të themelojnë Asociacionin e Komunave me shumicë shqiptare, i cili do të jetë identik me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe që do të krijohet në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, tha në një bisedë për KosovaPress se Asociacionin do ta themelojnë për t’i realizuar të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ashtu siç po krijohet ai në Kosovë për t’i realizuar të drejtat e serbëve në territorin e Kosovës.

Mustafa theksoi se kjo iniciativë vjen duke u nisur prej parimeve, principeve dhe standardeve të njëjta të pakicave – kudo që ndodhen në regjion, jashtë shtetit të tyre amë.

Kreu i Preshevës ka theksuar se do të bazohen edhe në rezolutën e Kuvendit të Kosovës që është miratuar në mars të vitit 2013, ku obligohet Qeveria e Kosovës për t’u angazhuar në Bruksel për shkallën e realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Luginë, ashtu si edhe të serbeve në Kosovë.

Po ashtu, Mustafa tha se janë bazuar edhe në deklaratat e kryeministri Edi Rama, se Serbia duhet të realizojë të drejta me të mëdha për shqiptarët në Luginë.

“Asociacioni do të jetë plotësisht i njëjtë dhe identik me Asociacionin e Komunave Serbe në territorin e Kosovës… Kërkojmë zbatimin e standardeve të njëjta për pakicat që jetojnë jashtë shtetit të tyre”, tha ai.

Ideja e shqiptarëve të Luginës për themelimin e këtij Asociacioni nuk ka marrë mbështetjen e Qeverisë së Serbisë, por Mustafa thotë se pavarësisht kësaj ende nuk kanë ndonjë informacion se do ta pengojnë themelimin e këtij Asociacioni. /KP/