Administrata shtetërore të premteve të punojë vetëm katër orë, parasheh propozim-ligji i Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë. Nëpunësit të punojnë 36 orë në javë, prej të hënës deri të enjten nga 8 orë, ndërkaq të premten të kenë vetëm 4 orë punë. Kryeministri i vendit Zoran Zaev thotë se ligji endë nuk është votuar ndërsa qytetarët duhet ta thonë mendimin e tyre, e Qeveria dëgjon me kujdes.
“Si popull, duhet më shumë të punojmë e jo më pak. Por, si premtim parazgjedhor e pjesëmarrësve politikë në pushtet, kjo është vënë në ENER dhe do të hapet për diskutim për këtë çështje. Besoj se qytetarët do të tregojnë ajo që është realitet në shtet, ndërsa realiteti është se të gjithë nëse dëshirojmë paga zvicerane, duhet të punojmë shumë më shumë – nga produktiviteti që e kemi sot, duke filluar nga vetja, e gjithsesi, deri tek të gjithë punonjësit në sektorin privat dhe në sektorin publik. Pjesa e dytë, efikasiteti i administratës publike është diçka që është fokus serioz dhe duhet të jetë në fokus”, tha Zaev.
Angell Mojsovski nga Instituti për Politika Evropiane thotë ka disa gjëra të kontestueshme në këtë propozim-ligj, por se problemi më i madh është mosharmonizimi me ligjin për marrëdhënie pune.
“Këto propozim-zgjidhje janë më të mira se sa propozimet e kaluara në vitin 2014. Janë më të mira por ka gjëra të kontestueshme, siç është kjo me orarin e punës. Mendoj se problemi më i madh për orarin e punës është mosharmonizimi me ligjet e tjera, gjegjësisht më të rëndësishëm e ai është ligji për marrëdhënie pune. Ndoshta në ligjet tjera është definuar por jo edhe në ligjin për marrëdhënie pune. Mendoj se ky është problemi më i madh, nuk është reduktimi i orarit të punës, por mospërputhja me ligjet tjera”, u shpreh Mojsovski.
Ministri i Administratës, Jeton Shaqiri, thotë se te ky propozim ligj është marrë nga shtetet evropiane dhe se ligji i është përkushtuar efikasitetit të orëve të punës.
“Propozim ligjet janë të vendosura në ENER dhe janë në fazë të pranimit të komenteve nga palët e interesuara për këtë proces. Pas kësaj faze do të analizohen nga gjithë palët e interesuara, janë shfrytëzuar të dhënat nga analiza e bërë në shumë shtete evropiane për mënyrën e rregullimit të kësaj materie. Por dua të theksoj që efektiviteti i punës matet me rezultatet në punë dhe arritjet e suksesit në punë dhe t’i kushtojmë rëndësi efikasitetit dhe efektivitetit të orëve të punës”, deklaroi Shaqiri.
Reformat në administratë publike vazhdojnë të jenë sfidë për Maqedoninë e Veriut pasi që ende duhet të çrrënjoset partizimi i administratës, të shkurtohet numri i madh i institucioneve dhe të punësuarve në sektorin publik, të sigurohen shërbime digjitale, efikase, të shpejta dhe cilësore.