Të rrënohen apo të konfiskohen ndërtimet pa leje?/ “Menaxhimi i pronës së konfiskuar paraqet burim korrupsioni”

TË FUNDIT

Do të rrënohen apo do të kalojnë nën menaxhim të komunave? Cili do të jetë fati i objekteve të ndërtuara pa leje? Për disa kryetarë komunash konfiskimi është zgjidhje e duhur, por për disa jo. Të parët që reaguan ishin kryetari i Ohrit dhe ai i Strugës. Derisa për kryetarin e Ohrit kjo zgjidhje është e mirë për pjesët tjera të qytetit, por jo edhe ato në breg. Kryetari i Strugës Ramiz Merko kundërshtoi kategorikisht iniciativën duke theksuar se me konfiskim shteti do të pasurohet në kurriz të qytetarëve.

“Propozimi për konfiskim më kujton konfiskimin e veturave, institucionet i marrin nga pronarët e më pas i shesin. E njëjta gjë vlen edhe për këtë, shtëpitë dhe objektet e disa njerëzve që ata i kanë ndërtuar që shteti të fitojë duke i shitur. Është më mirë të ndëshkohen ata që ndërtuan në mënyrë të paligjshme sesa t’u merret prona dhe të hidhet në “ankand”- deklaroi Ramiz Merko, Kryetar i Strugës.

Menaxhimi me pronat e konfiskuara paraqet burim për korrupsion thotë kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Ivanovska prandaj ajo ka rezerva për këtë iniciativë.

“Së pari ndërtimet pa leje janë ndërtime ilegale, në vend që inspektorët me kohë të dilnin dhe të mos lejonin ndërtimin e tyre, sepse këto ndërtime janë pengesë ndërsa tani le të rrinë sepse komuna nuk ka para për t’i rrënuar.”- pohoi Biljana Ivanovska, Kryetare e Komisionit Antikorrupsion.

Përndryshe, konfiskim në vend të rrënimit të ndërtimeve pa leje propozoi kryetari i Komunës në Qendër Goran Gerasimovski me qëllim për të parandaluar zgjerimin e mëtejshëm të objekteve të ndërtuara pa leje, ndërsa idenë e tij e dorëzoi si iniciativë deri te BNjVL dhe kërkoi mbështetje edhe nga ministri i Drejtësisë dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve. Deri tani ministri Krenar Lloga e ka vlerësuar pozitivisht këtë nismë.