“Të rinjtë nuk largohen për shkak të pagave”, Vellkovski: Me këto çmime s’mund të blesh një ballkon, e jo një apartament

TË FUNDIT

Të rinjtë nuk largohen nga shteti për shkak të pagave, në sektorin privat ka paga të mira – deklaroi zëvendësministri për politikë sociale, demografi dhe të rinj, Gjoko Velkovski në emisionin Biznes 21. Ai po ashtu njoftoi grup masash për vitin e ardhshëm për të ndaluar largimin e të rinjve dhe për t’i rikthyer në shtëpi. Velkovski tha se përveç subvencioneve për punëdhënësit, po përgatiten edhe masa që të rinjtë të kenë mundësi të blejnë shtëpi, si dhe masa për rritjen e lindshmërisë. Ai shtoi se ka disa ide të ndryshme, ndërsa masat do të publikohen vitin e ardhshëm.

“Nëse flisni me secilin që ka ikur, dhe është motivuar vetëm nga paratë si pagë, do të shihni që atje shpenzojnë shumë më tepër për hapësirë banimi ku jetojnë. Çmimet janë shumë më të larta, si ato të tregut ashtu edhe të nevojave të përditshme. Pra, pjesa më e madhe e parave që fitojnë atje shpenzohet atje ose në vendin ku kanë shkuar të punojnë. Ndërsa tek ne, një pjesë e madhe prej tyre ka hapësirën e vet ku jetojnë”, tha Gjoko Velkovski – zëvendësministër për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj.

Sipas Velkovskit, këtë vit, edhe pse ishte njoftuar, nuk kishte fonde për të realizuar projektin “Bli shtëpi për të rinjtë”. Por ai njoftoi subvencione për blerjen e shtëpisë për të rinjtë për vitin e ardhshëm.

“Për fat të keq sot kemi këtë çmim për metër katror që është i lartë, nëse më pyetni mua nuk mund të blesh një ballkon të apartamentit, e jo vetë apartamentin. Dhe për shkak të gjithçkaje që po ndodh, është e nevojshme kontroll më i madh mbi sistemin dhe të bëhen analiza të sakta për të mos bërë gabime në ofrimin e kësaj mase drejtuar tek të rinjtë”, u shpreh Gjoko Velkovski – zëvendësministër për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj.

Velkovski për vitin e ardhshëm njoftoi edhe masa për rritjen e lindjeve. Përveç ndihmës financiare për fëmijë, po punohet edhe për përmirësimin dhe lehtësimin e kushteve për prindërit. Po ashtu, do të ndërtohen kopshte të reja, pasi aktualisht rreth 2.500 fëmijë në Shkup presin muaj për një vend në kopsht.