Përfaqësuesit e rrjeteve të studentëve dhe të rinjve nga vende të ndryshme të Evropës, sot me
iniciativën e Ministrisë së Diasporës, u mblodhën në Prishtinë në një forum për të diskutuar mes
tjerash edhe për bashkëpunimin me institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë si dhe formën e punës
së këtyre rrjeteve në të ardhmen.
Në këtë forum, ku përveç ministrit të Diasporës, Valon Murati, morën pjesë edhe kryeministri i
Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa; ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i Republikës së
Shqipërisë, Blendi Klosi, zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, Anila
Statovci, zëvendësministri i Diasporës, Sahit Krasniqi, ambasadori i Republikës së Shqipërisë,
Qemal Minxhozi, përfaqësues nga shoqëria civile dhe rrjeti i studentëve të diasporës.
Kryeministri Mustafa, në fjalën e tij, tha se “kjo iniciativë e themelimit të rrjetit të rinisë është
një formë e organizimit që krijon ndërlidhje të rinjve që jetojnë jashtë. Ky rrjet është një
potencial i rëndësishëm, një potencial i njohurive të teknologjive të reja, i diturive të rreja, i
shkollimit të rinjve për të cilën kemi nevojë, ose ta tërheqim këtu, ose të punojnë përbashkët,
sepse zhvillimi i këtij vendi më nuk mund të bëhet i mbyllur vetëm kufijtë e Kosovës. As dija
jonë nuk është dije e mbyllur, është dije që i kalon kufijtë edhe të Kosovës, kufijtë regjional“.
Po ashtu, kryeministri Mustafa theksoi se Qeveria po punon në shumë fusha, në forcimin e shtetit
ligjor, që ky shtet të jetë në nivelin e shteteve demokratike, të bëhen reforma edhe në fushën e
arsimit e të shëndetësisë.
Nga ana tjetër nikoqiri i takimit Ministri i Diasporës, z. Valon Murati tha se “të rinjtë dhe
studentët, jeni pjesë e diasporës shqiptare që po e ndihmoni tranzicionin e natyrshëm që po e
kalon diaspora jonë nga një diasporë e mobilizuar për ta ndihmuar lirinë e vendit në një diasporë
që tanimë është duke e gjetur vendin e vet aty ku është, që të bëhet pjesë e integrimit të shoqërisë
ku jeton. Duke qenë pjesë integruese e asaj shoqërie, e ndihmon edhe vendin e vet”.
Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, Blendi Klosi, e
përshëndeti këtë iniciativë, duke thënë se ky forum është fillimi i ngjarjeve të përbashkëta mes
Kosovës dhe Shqipërisë.
“Tashmë është një gjeneratë e tretë, e katërt, e cila ka lindur, është rritur dhe po zhvillohet në
Evropë, prandaj do të duhet të ketë shumë më tepër lidhje me vendin, duhet të ketë më tepër
njohuri në administratën shqiptare dhe atë të Kosovës. Prandaj, padyshim, nuk mund të quhet më
një ngjarje që një ministër i Shqipërisë dhe një ministër i Kosovës të bëjmë së bashku aktivitetet
të këtij lloji”, tha ministri Klosi.
Në forum pati edhe diskutime lidhur me fushën e arsimit, por për tema të tjera me interes për
studentët pjesëmarrës.
Forumi do t’i vazhdojë punimet edhe më 4 gusht në Tiranë, për të përfunduar me konkluzione e
nxjerra nga studentët më 5 gusht.
