Të pavarurit kërkojnë kandidaturë me 50 nënshkrime! Bellçeva: Në zgjedhjet e ardhshme lokale kërkojmë kushte të qarta

TË FUNDIT

Të bëhen ndryshime në Kodin Zgjedhor që do të përcaktojnë që kandidatura në listat e pavarura në zgjedhjet e ardhshme lokale të jetë e mundur me 50 nënshkrime të qytetarëve. Kjo u kërkua nga përfaqësues të iniciativave të pavarura civile pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi nenet e Kodit Zgjedhor që lidhen me kandidaturat e pavarura rreth dhjetë ditë më parë. Ne kërkojmë të na mundësohet të kemi kushte të qarta për kandidaturë në zgjedhjet e ardhshme lokale, tha Jana Bellçeva nga “Shans për Qendrën”.

“Kërkesat tona kanë të bëjnë me zbrazëtinë ligjore të krijuar nga shfuqizimi i nenit nga Kodi Zgjedhor që e rriti pragun për mbledhjen e nënshkrimeve për listat e pavarura në 1%, që Gjykata Kushtetuese e vlerësoi jokushtetues. Kërkesa jonë thotë se ne kërkojmë  50 nënshkrime për të dalë me listën e kandidatëve”, tha Jana Bellçeva, Shansi për Qendrën.

Një kërkesë e tillë, sipas Gorjan Jovanovskit nga “Qytet human, i gjelbër”, është në përputhje me kriteret europiane, të cilat hapin mundësinë për demokraci. Nëse dispozitat e nevojshme nuk miratohen në ligj, ai kërkon që të hapet mundësia për kandidaturë.

“Në mungesë të kushteve dhe kritereve, duhet të hapet e jo të mbyllet mundësia për lista të pavarura që të mund të kandidohen në zgjedhjet e ardhshme lokale. Tani fatkeqësisht kjo varet nga interpretimi i ligjit nga ana e Kuvendit dhe KSHZ, të cilët në fund mund të tregojnë, ne ndryshe e interpretojmë dhe thjeshtë nuk do t’i pranojmë parashtresat tuaja për zgjedhjet lokale”, deklaroi Gorjan Jovanovski, Qyteti Human i Gjelbër.

Mospasja e kushteve për kandidatët e pavarur është shkelje e së drejtës kushtetuese në zgjedhjet, thotë Agron Arifi nga “Më mirë për Tetovën”.

Disa nga deputetët në Kuvend nuk donin të komentonin mbi këtë qëndrim apo nëse do ta mbështesnin kërkesën e të pavarurve.

“Deri më tani, unë nuk kam marrë një kërkesë të tillë zyrtare si deputet. Sigurisht, kur të marrim një kërkesë, ne si grup parlamentar do të konsultohemi dhe do të dalim me një qëndrim të përbashkët”, tha Jane Micevski nga VMRO-DPMNE.

“Nuk kemi ende një qëndrim për këtë, mendoj se 50 nënshkrime janë shumë pak për një kandidaturë për zgjedhjet lokale, ky është mendimi im, qëndrimi im. Unë besoj se një kandidat që ka të paktën 500 ose një mijë nënshkrime duhet të ketë të drejtë të kandidojë”, shtoi Bekim Sali nga VLEN.

LSDM gjithashtu thotë se ata ende nuk kanë marrë asnjë propozim dhe nuk mund të komentojnë derisa ta kenë shqyrtuar atë.