Të paktën 11 persona kanë humbur jetën, ndërsa 32 janë plagosur gjatë shpërthimit në xhaminë në Mazar e- Sharif, qytet në pjesën veriore të Afganistanit.
Sipas autoriteteve shëndetësore, gjashtë nga të lënduarit janë në gjendje kritike.
Drejtori i autoriteteve shëndetësore të provincës, Naxhibulla Tavana ka deklaruar se të gjitha viktimat gjatë shpërthimit kanë qenë besimtarë lokal shiitë që kanë marrë pjesë në lutjet në xhami.
Xhamia Saj Dokan është xhamia më e madhe dhe më e vjetra shiite në qytet.
Ndërkohë autoritetet lokale talibane kanë konfirmuar për shpërthime në tre provinca tjera afgane.
Të paktën katër persona kanë humbur jetën në shpërthimin e automjetit të talibanëve në zonën Hogiani në provincën lindore Nangarhar.
Shpërthime ka pasur edhe në qytetin Kunduz në zonën veriore të Sar- e- Darva ku në cak kanë qenë një minibus ku janë transportuar zyrtarë qeveritar.
Zëdhënësi i policisë në Kabul ka deklaruar se dy fëmijë janë lënduar në bombën e vendosur përgjatë rrugës në distriktin e pestë policor.
Gjatë ditëve të kaluara një valë e dhunës ka goditur Afganistanin.
Të paktën nëntë nxënës kanë vdekur, ndërkaq 19 tjerë janë plagosur të martën në tre sulme me bombë në qendra arsimore dhe shkolla në pjesën shiite në Kabul.
Tani për tani nuk ka grupe militantësh që do të merrnin përgjegjësinë për sulmet, por dyshim më i madh vihet në grupin terrorist Shteti Islamik sulmet e të cilëve janë të orientuar në myslimanët shiitë në Afganistan.
