Të paktën 17 të vrarë gjatë shpërthimit të një automjeti-bombë në Afganistan

TË FUNDIT

Të paktën 17 persona janë vrarë në Afganistan në një shpërthim të fuqishëm të një automjeti bombë në provincën Logar, njofton BBC.

Shpërthimi ka ndodhur në vigjilje të armëpushimit që e publikuan talebanët gjatë festave fetare.

Talebanët nuk e ndërmorën përgjegjësinë për sulmin, as grupi Shteti Islamik.

“Besohet se sulmin e ka kryer një bombardues vetëvrasës”, deklaroi zëdhënësi i guvernatorit Loar, Dedar Luang.

Shpërthimi ka ndodhur në afërsi të zyrës së guvernatorit, ku shumë njerëz kanë bërë pazar për festat.

“Terroristët sulmuan sërish në natën e festës Eid al-Adha dhe i vranë një numër të madh të bashkëkombësve tanë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Tarik Arian.

Zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Muxhahid deklaroi se sulmi nuk ka “kurrfarë lidhje” me ta.