Të pagjeturit, plagë e hapur që 17 vite

TË FUNDIT

Edhe pse kanë kaluar gati 17 vite që nga mbarimi i luftës në Kosovë, ende nuk dihet për fatin e rreth 1.650 personave të cilët konsiderohen të zhdukur që nga mbarimi i luftës.
Familjarët e personave të zhdukur kërkojnë që të bëhet më shumë për ndriçimin e fatit të më të dashurve të tyre pasi siç thonë deri tash ka munguar një vullnet politik që të lëvizte diçka në këtë drejtim.
Nysrete Kumnova, nga shoqata “Zëri i nënave”, ka thënë për KosovaLive se fati i personave të zhdukur duhet të ndriçohet sa më shpejt në mënyrë që të mbyllet kjo plagë e moçme që po u djeg familjarëve.
Kumnova i ka bërë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të bëjnë më shumë në këtë drejtim dhe më në fund kriminelët të dalin para drejtësisë.

“Mesazhi im si familjare është t’i bëj një thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të bëjnë të pamundurën për ndriçimin e fatit të 1.650 qytetarëve ku në mesin e tyre është edhe djali im i vetëm Albioni. U bënë gati 17 vite kur adresa dihet, është te shteti serb të cilët i kanë të gjitha argumentet, faktet por edhe krimet që i kanë bërë, secili ka informacione për secilin veç e veç se çfarë ka bërë por ka munguar vullneti i mirëfilltë i të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për ta ndriçuar së paku fatin e të pagjeturve. Si nënë bëjë apel që të bëhet më shumë për fatin e personave të zhdukur dhe kriminelët të dalin para drejtësisë për krimeve që i kanë bërë jo të kenë ledhatime e përkrahje. Fati i më të dashurve tanë duhet të ndriçohet sa më shpejt dhe të mbyllet kjo plagë njëherë e përgjithmonë. Data 30 gusht është një datë e rëndësishme por edhe e dhimbshme sepse të gjithë familjarët e të zhdukurve do ti përkujtojmë më të dashurit tanë që ende nuk dimë për fatin e tyre”, ka deklaruar Kumnova.

“EULEX-i vazhdon të jetë i përkushtuar në mbështetjen e institucioneve të Kosovës përmes ekspertizës forenzike për përcaktimin e fatit të personave të pagjetur në çdo mënyrë të mundshme”, ka deklaruar Gabriele Meucci, shef i Misionit EULEX në Kosovë, me rastin e Dita ndërkombëtare e personave të zhdukur.
Ndërkohë, në kuadër të shënimit të 30 gushtit, Ditës ndërkombëtare të personave të zhdukur për tri ditë radhazi janë mbajtur aktivitete në shënimin e kësaj dite.