Vazhdojnë edhe sot reagimet për nismën e VLEN-it për formimin e akademisë së shkencave dhe arteve të shqiptarëve në vend. Derisa një pjesë e kritikave thonë se shkenca nuk duhet të etnizohet, ministri i Shëndetësisë Arben Taravari thotë se nuk bëhet fjalë për etnizim por se me këtë do të kemi më shumë institucione shkencore.
“Gjithmonë idetë që janë për shkencë dhe art, unë mendoj se janë të mira dhe të bukura, kështu që tani për tani filluam si nismë nga katër komuna, unë shpresoj se në të ardhmen do të gjejmë zgjidhje që do të jetë e pranueshme për të gjithë ne që jetojmë në Republikën e Maqedonisë. Asnjëherë shkenca nuk etnizohet, tamam punë, ne kemi disa universitete, do të kemi më shumë institucione që do të merren me shkencë dhe t’i zhvillojmë këto institucione edhe më shumë”, tha Arben Taravari.
Partneri i koalicionit VMRO-DPMNE nuk pajtohet me këtë ide duke thënë se ASHAM është institucioni i vetëm që e bashkon mendjen maqedonase shkencore dhe në përbërjen e saj ka komunitete të ndryshme etnike.
“Qëndrimi ynë si VMRO-DPMNE është i qartë, ne e kemi Akademinë e shkencave dhe arteve të Maqedonisë, në suazat e kësaj akademie janë përmbledhur mendja shkencore, shkencëtarët, që janë me përkatësi të ndryshme etnike dhe duhet të punojmë në drejtim që ta pasurojmë me mendje shkencore dhe shkencëtarë. Kjo është e ardhmja, e ardhmja nuk qëndron në ndarjet por në bashkimin”, dekalroi Hristijan Mickoski.
Kundër idesë për formimin e akademisë së shkencave dhe arteve të shqiptarëve janë edhe nga LSDM. Sipas tyre nuk nevojitet paralelizëm kur bëhet fjalë për ASHAM. Prej atje pohojnë se kjo është marrëveshja mes Mickoskit dhe VLEN-it para formimit të qeverisë.
“Për cilat kërkesat tjera që janë të papranueshme për shumicën e qytetarëve, Mickovski ka heshtur dhe i ka pranuar në mënyrë të fshehtë? Patriotët më të mëdhenj Mickovski dhe Dimitrievski prapa pozitës së lezetshme në pushtet me shumë gjasa aktruan se nuk i dëgjojnë këto kërkesa të VLEN-it, ndërsa tani po përpiqen të marrin pika me mospranimin e tyre”, thotë LSDM.
Edhe nga BDI e kritikuan mënyrën e pozicionimit të akademisë nga ana e VLEN-it, thonë se është e papranueshme të bëjnë, siç thonë një akademi e cila do të financohet nga komunat. Akademinë e kundërshtuan edhe nga ZNAM, nga ku thonëse Maqedonia tashmë e ka ASHAM-in si akademia e vetme që i përket të gjithëve dhe asnjë paralelizëm nuk është i lejuar.
