Të gjithë festuan, por të pakënaqur nga numrat. Partitë shkruajnë ankesa, afati i fundit nesër deri në orën 19:30

TË FUNDIT

Partitë shkruajnë ankesa për zgjedhjet që duhet të dorëzohen deri te KSHZ-ja, ndërsa shumica prej tyre dyshojnë në saktësinë e votave të numëruara pasi u hakua sistemi kompjuterik i KSHZ-së. Jo zyrtarisht mësojmë se ekipi juridik i LSDM-së tashmë punon në ankesat e tyre që kanë të bëjnë me rezultatet.

“Komiteti juridik i partisë ende po bën analiza për parashtrimin e ankesave për rezultatet. Qendra analitike i shqyrton të dhënat nga numërtimi i votave që si parti i kemi, me ata që i publikoi Komisioni Shtetëror Zgjedhor, por do të parashtrojë ankesa për vendvotime ku do të konfirmohet se ka numërim të gabuar të votave, por vetëm nëse konfirmohet se kjo mund të ndikojnë në rezultatin” thonë nga LSDM.

Lideri i VMRO-DPMNE-së dje tha se komisioni juridik i partisë punon në ankesat të cilat do t’ia dorëzojnë KSHZ-së. Zëdhënësi i partisë, Dimçe Arsovski paralajmëroi se do të kërkojnë që numërimi i votave të përsëritet.

“Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka për obligim të shqyrtojë të gjithë dyshimet për parregullsi dhe falsifikim të zgjedhjeve përkatësisht të vullnetit të qytetarëve. Andaj ne si parti politike do të kërkojmë numërim manual të fletëvotimeve” tha Dimçe Arsovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nga koalicioni AA – AAA paralajmëruan se nga KSHZ-ja do të kërkojnë që t’i rishqyrtojnë rezultatet e zgjedhjeve.

Kryetari i Të Majtës, Dimitar Apasiev, tha se partia është e dëmtuar me rreth 10 mijë vota dhe se u janë vjedhur më së paku tre deputet.

“Ekipet tona tashmë punojnë dhe i përgatisin ankesat, të cilat më së shumti kanë të bëjnë me njësinë zgjedhore numër dy dhe atë numër katër” tha Dimitar Apasiev nga “E majta”.

Nga KSHZ informojnë se deri më tani janë parashtruar dy ankesa nga partia Demokratët, e Jorgo Ognenovskit. Afati për ankesa për procedurën e votimit skadon sonte në orën 21, ndërsa deri nesër në orën 19:30 partitë do të mund të ankimojnë rezultatet e zgjedhjeve, përkatësisht numërimi të përsëritet./TV21