Të burgosurit pa mbrojtje shëndetësore, në konkurset për mjekë askush nuk është paraqitur

TË FUNDIT

Situata me mbrojtjen shëndetësore të të burgosurve është në nivel katastrofal, vlerësoi avokati i popullit Naser Zyberi. Të burgosurit nuk marrin as ndihmë mjekësore e as kontrolle psikiatrike për shkak se një pjesë e madhe prej të varurve vuajnë nga probleme psikiatrike dhe kriza abstinenciale pas çka bëhen më agresivë edhe ndaj vetes edhe ndaj të tjerëve. Zyberi ka kërkuar ndihmë nga Ministria e shëndetësisë por prej atje ende nuk ka marrë përgjigje.

Ministri i shëndetësisë Venko Filipçe është i vetëdijshëm se ky problem ekziston një kohë të gjatë, por thotë se janë duke kërkuar zgjidhje dhe se së shpejti presin një propozim përfundimtar për tejkalimin e këtij problemi.

Mbi 20% të numrit të përgjithshëm të të burgosurve janë të varur nga droga, vetëm në pjesën e femrave në Idrizovë madje 62% prej të burgosurve janë të varur nga droga. Më e keqja është situata në burgun në Kumanovë ku janë mbi 35% përkatësisht rreth 65% prej atyre që janë në paraburgim, ndërsa për ata kujdeset vetëm një person teknik mjekësor.

E ngjashme është edhe situata me përcaktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare, policia nuk është e trajnuar në mënyrë të mjaftueshme që t’i informojë të burgosurit për të drejtën e tyre për avokat, veçanërisht kur bëhet fjalë për personat e mitur.