Taravari me rezerva për VMRO-në:  S’jam i interesuar për qeverisje nëse s’pranojnë ndryshimet kushtetuese

TË FUNDIT

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka rezerva për atë nëse do të lidhte koalicion postzgjedhor për qeverisje me VMRO-DPMNE-në. Ndonëse këta të fundit dalin fitues në çdo anketë, Taravari ende ka rezerva. Për Mickoskin thotë se deklaratat e tij shpesh janë konfuze dhe të paqarta.


“Me Mickoskin jam takuar para se të hyjmë në Qeveri, nëntor ose dhjetor, në nëntor. Dhe prej atëherë nuk ka patur asnjë komunikim me z.Mickoskin. Personalisht ende kam rezerva. Besoj dhe uroj që ta kuptojë realitetin se..”, tha Arben Taravari – Kryetar i ASH.

Rezerva për çka?

“Po, për qeverisjen e mëtutjeshme”, pohoi Arben Taravari – Kryetar i ASH.

Me Mickoskin të cilin anketat e nxjerin fitues?

“Ai del fitues në anketa, deshtëm apo s’deshtëm. Vetëm se, prononcimet e tij, janë disi konfuze, disi të paqarta”, shtoi Taravari.

Taravari thotë se do të ishte i gatshëm për të qeverisur me VMRO-DPMNE-në, mirëpo vetëm nëse janë të gatshëm të realizojnë ndryshimet kushtetuese.


“Në qoftëse reziston të bëhen ndryshimet kushtetuese pas zgjedhjeve, unë për vete nuk jam i interesuar të jem pjesë e një qeverie që nuk është e gatshme, flas për aq deputetë sa do të ketë Aleanca për Shqiptarët, nëse është e gatshme jemi aty për të biseduar dhe për të qeverisur”, pohoi Arben Taravari – Kryetar i ASH.

Por çfarë thotë VMRO-DPMNE? A janë të gatshëm të pranojnë ndryshimet kushtetuese për të bërë koalicion me partitë shqiptare? Nga atje thonë se qëndrimi i tyre nuk ka ndryshuar dhe nuk pranojnë ndryshime kushtetuese nën diktar bullgar.


“Garanca e vetme që e ka VMRO-DPMNE është braktisja e politikave të tilla kushtëzuese që ekziston në Maqedoni, e me të cilën janë mësuar të gjitha partitë tjera politike. Koalicion është i mundur me të gjithë ata që kanë për qëllim për ta bërë Maqedoninë një shtet të dinjitetshëm, të qeverisë me nder dhe pozitat të jenë shërbim i vërtetë për qytetarët. Gjithçka tjetër, veçanërisht për kushtëzime të tilla për ndryshime kushtetuese nën diktat bullgar, qëndrimet e VMRO-DPMNE-së ngelin të pandryshuara”, theksoi Marija Miteva – Zëdhënëse e VMRO-DPMNE-së.

Përndryshe edhe kreu i kësaj partie Hristijan Mickoski, së fundmi në Click Plus tha se do të preferonte partitë opozitare shqiptare për formim të kabinetit qeveritar, duke përmendur katër liderët e VLEN-it, Mexhiti, Kasami, Gashi e Taravari.