Taravari largohet nga qeveria, reagon Mexhiti: Ti nuk e solle ndryshimin

TË FUNDIT

Pasi braktisi VLEN-nin, Arben Taravari po largohet edhe nga qeveria. ASH-ja ende pa i mbushur një vit në qeveri, vendosi të shkoj në opozitë. Këtë e vendosën mbrëmjen e së hënës pas mbledhjes së kryesisë qëndrore.

 “Sollëm vendim që ASH të shkoj në opozitë. ASH krenarisht tregon se vitin e kaluar së bashku me partitë e VLEN-it arritëm që ta sjellim ndryshimin apo rotacionin politik te shqiptarët, por konstatimi ynë është që ky ndryshim fatkeqësisht nuk është ajo që e premtuam por vetëm një zëvendësim.”, tha Arben Taravari, kryetar i ASH-së.

Nga Koalicioni VLEN, pjesë e së cilës ishte edhe ASH në pushtet, thonë se ai doli në kundërshtim me veten. Nënkryetar i Lëvizjes BESA Blerim Sejdiu tha se ai ka pasur hisen më të madhe në koalicion.

 “Ti je ministër i një qeverie që sot e kundërshton vetveten. Ke ardh në qeveri për të kundërshtuar vetveten dhe ky vërtetë është një fenomen dhe një talenti i rrallë. Për të ardh në qeveri që ta kundërshtosh vetveten është një talent i rrallë. Ti duhet të jesh i përmbajtur kur e thua se nuk është ajo që është pritur, sepse në takimet tona në VLEN ka kërkuar më shumë se gjithë hisen politike.”, shtoi Blermi Sejdiu, Nënkryetar i Lëvizjes BESA.

Ndërkaq, kreu i LD-së Izet Mexhiti i drejtohet Taravarit si zhgënjim i aktivistëve dhe gjithë shqiptarëve. Mexhiti iu bëri thirrje kuadrove dhe elektoratit të ASH-së që të kalojnë tek partia e sapoformuar VLEN.


“- Ti nuk e solle ndryshimin. Ti e pengove ndryshimin.

– Ti nuk po kthehesh tek populli. Ti po kthehesh tek lista e zezë.

– Ti nuk po e braktis Qeverinë. Ti e tradhëtove Qeverinë.

– Ti nuk e përfaqëson frymën e anëtarësisë së ASh-së. Ti e mashtrove anëtarësinë e ASh-së.

– Ti nuk je heroi i kësaj historie. Ti je dëshpërimi i çdo shqiptari… “, tha Izet Mexhiti, Kryetar i LD-së.

ASH vendimin për ta braktisur Qeverinë e morri një ditë pasi kryeministri Mickoski deklaroi se këtë javë do ta pijë kafen e fundit me Taravarin. Ndryshe partnerët e koalicionit qeverisës i dolën kundër Taravarit, që në momentin kur ai pranoi se ka kanale komunikimi me BDI-në.