Taravari kundër Filipçes! “Shndërrimi i Neurologjisë në Covid – qendër është skandaloz”

TË FUNDIT

Vendimi që Klinika neurologjike të jetë Kovid qendër është skandaloz, vlerëson neurologu dhe ish ministri i shëndetësisë, Arben Taravari. Sipas tij është e pakuptueshme si mundet ministri Venko Filipçe që është neurokirurg të vendos që Klinika në të cilën kurohen pacientë me diagnozë të rëndë, të shndërrohet në Kovid qendër. Ai shton se neurologjia mund të jetë Kovid qendër vetëm atëherë kur do të mbushen të gjithë degët interne.

“Klinikat tjera apo Klinika për sëmundje dermatoveneurologjike ku kapacitetet e këtyre klinikave janë gati të zbrazura. Ai ka vendosur në fillim ta mbushi Neurologjinë pastaj të shkoj në ato Klinika”, tha për TV21, Arben Taravari – Neurolog.

Taravari vlerëson se pacientët që vijnë në neurologji do të jenë nën rrezik nëse klinika bëhet Kovid qendër.

 “Nuk mund ta kuptoj si mundet një ministër i cili me profesion është neurokirurg dhe e din sa është frekuenca me pacientë në Klinikën e Neurologjisë, ku ka të sëmurë akut dhe serioz. Nuk e di me çfarë mendje ministri ka vendos që këtu të bëhet Covid-qendër”, deklaroi  për TV21, Arben Travari – Neurolog.

TV21 e kontaktoi edhe ministrin për shëndetësi, Venko Filipçe i cili thotë se ka logjikë në atë se si janë planifikuar kapacitetet për akomodimin e pacientëve me Kovid.

 “Së pari bëhet fjalë për kapacitet me shtretër në Klinikën për dermatoveneurologji dhe Klinikën për neurologji për shkak se janë fizikisht afër, lehtë të qasshme, ka qasje të lehtë në laborator, ka ashensor që i lidh deri në katet e larta ku duhet të vendosen pacientët dhe ka kuadër të gatshëm dhe kyçje qendrore për oksigjen”, theksoi Venko Filipçe – Ministër i Shëndetësisë.

Ministri Filipçe pohon se tashmë është bërë plan që pacientët të kontrollohen në ambulanta adekuate si në suaza të klinikës interne, ashtu edhe në suaza të klinikave kirurgjike në pjesën e neurologjisë.

 “Pjesa për neurologji, reparti në Spitalin 8 Shtatori dhe një pjesë fizikisht e ndarë në Klinikën për neurologji, që është reparti për nefrofiziologji. D.m.th. asnjërit nga pacientët që i nevojitet ndihmë e tillë, nuk do i shkurtohet e drejta për trajtim dhe do të jenë të trajtuar në kohë dhe në mënyrë adekuate”, potencoi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Sipas ministrit, ky plan i cili është bërë me drejtorët e gjithë klinikave, është plan që tashmë po zbatohet. Ai shton se mjekët dhe motrat medicinale tashmë janë të gatshëm për të akomoduar pacientë me Kovid në klinikat interne atëherë kur do të jetë kjo e nevojshme. Repartet e ardhshme pas Institutit për sëmundje të mushkërive, i cili tashmë është në funksion, janë Klinika për dermatologji dhe Klinika neurologjike.