Mbrëmë është djegur bilbordi i kandidatit për president Arben Taravarit në rrugën afër Kopshtit Zoologjik në Shkup. Taravari në reagimin e tij nuk përmendi emra por tha se dihet cila parti mban në radhët e saj rrugaçë dhe kriminelë, dhe se dihet se cila parti e përdor pushtetin për të pasuruar veten dhe, siç tha, për të frikësuar popullin.
Kunderkandidati i tij Bujar Osmani, i pyetur për rastin e ndodhur, mohoi që partia e tij është e përfshirë.
“Jo, absolutisht jo, hedh poshtë përfshirjen e BDI-së. Nëse dikush bën fushatë pozitive dhe konstruktive, këta jemi ne. Unë dënoj akte të tilla. E thirr opozitën të ndërpresë fushatën e zezë. Ta ndërpresë fushatën e zezë për shkak se kjo nuk u ndihmon, nuk është në favor të tyre. Askush në historinë e pluralizmit politik nuk ka dalë fitues në zgjedhje duke qenë kundër dikujt tjetër. Duhet të keni ofertë tuaj, ende nuk dëgjuam se cila është oferta. Vetëm dëgjojmë BDI, BDI,BDI.”, tha Bujar Osmani, kandidat për presidenti Frontit Europian.
Taravari sot me fjalë më të qeta, tha se po pret që institucionet ta zgjidhin këtë rast.
“Nuk e di, nuk dua të besoj që është diçka e qëllimshme edhe pse mua ma dërguan videon diku pas mesnate. Një gjë e di për vete, se kurrë nuk ia kisha bërë kundër kandidatit tim një gjë të tillë, por përsëri nuk dua të prejudikoj, të presim, besoj që institucionet kompetente do të tregojnë pse dhe çfarë ka ndodhur”, tha Arben Taravari, kandidat për presdient i VLEN.
Rastin me djegien e bilbordit dje në MPB e denoncoi koalicioni VLEN prej ku kërkuan që të dënohen fajtorët. Nga MPB u përgjigjën se ndërmarrin masa për zbardhjen e rastit.
“Më 07.04.2024 në orën 01.15 në SPB Shkup është denoncuar se në udhëkryqin nga bulevardi Ilinden me rrugën Ruzveltova është djegur bilbord të një prej kandidatëve për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ekipi i zjarrfikësve Shkup e ka shuar zjarrin. Ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, thonë nga MPB.
Përndryshe dy kandidatët për president Osmani dhe Taravari edhe sot vazhdojnë me fushatën për garën presidenciale.
