Nënkryetari i VMRO DPMNE-së Aleksandar Nikollovski në “360 shkallë” tha se nëse dikush vlerëson se me BDI duhet të bashkëpunohet, ajo nënkupton që duhet të shkoj në opozitë. Ai shtoi se Taravari nuk është aq naiv politikisht që t’i afrohet BDI-së në këtë situatë para zgjedhjeve lokale.
“Sa i përket bashkëpunimit me BDI duhet të shohim në çfarë kahje lëvizin gjërat, por nëse dikush vlerëson se me BDI duhet të bashkëpunohet, ajo nënkupton që duhet të shkoj në opozitë. Deri në këtë moment ne nuk kemi asnjë paralajmërim zyrtar nga Taravari se do bëj koalicion me BDI. Nëse shkon në koalicion me Bdi do të ndryshohet realiteti”, tha Nikollovski.
I pyetur për këtë temë, Taravari për këtë çështje tregoi dy opsionet që i kanë në dispozicion, kurse për çështjet tjera tha se mbetet për tu parë. Për deklaratën e Nikollovskit tha se partia e tij ka organe që vendosin se në çfarë drejtimi do të shkojnë.
“Ne kemi organe partiake, ne jemi parti autonome dhe vendimet tona i sjellim vet, deri tash vendimi është vetëm nji, se në lista për këshilltar ASH del e vetme. Për kandidat për kryetar komunash kemi thënë se jemi të hapur, parasëgjithash me VLEN-in, nëse kanë disponim. Nëqoftëse s’kanë disponim opsioni i dytë është vetë edhe më tutje e shohim”, deklaroi Taravari.
Vendimi i Taravarit për të shkuar në zgjedhje lokale me lista të veçanta të këshilltarëve, prishi marrëdhëniet me 3 partnerët tjerë të VLEN-it. Tani për tani ai ka deklaruar se në zgjedhje lokale do të kërkojë bashkëpunim me të gjitha partitë, përveç Levicës. Ndërkaq, për vazhdimin e tij në qeveri pritet të mbahen takim të enjten më 1 maj ndërmjet Taravarit dhe kryeministrit Mickoski.
