Taravari i habitur nga mbështetja që po merr/ Memedi paralajmëron kryetar të ri të ASH-së të dielën

TË FUNDIT

Pas tubimeve në Kumanovë dhe Gostivar, kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari, mblodhi mbështetësit edhe në Tetovë. Tha që ka mbetur i habitur nga mbështetja që po merr. Edhe një herë tregoi arsyet e ndarjes me bashkëpartiakët.

“Çfarë na ndau prej shokëve tonë? Kishim dy rrugë ne si Aleancë për Shqiptarët, një rrugë e cila ishte t’i bashkangjitemi apo të punojmë indirekt për BDI-në që se pranova dhe rruga e dytë këtë që e zgjodhëm. Ishte bashkimi dhe ndryshimi.”- deklaroi Arben Taravari – kryetar i ASH.

Taravari thotë se shumë shpejtë do të nënshkruhet edhe kontrata e bashkëpunimit me opozitën shqiptare. Është i bindur se diferenca e fitores do të jetë shumë e madhe.

“Imagjinoni, energjia aq pozitive, aq njerëz na bashkangjiten që më tetë maj definitivisht ndodhë ndryshimi. Unë nuk e di veç sa do të jetë diferenca, besoj se do të jetë shumë e madhe. Prandaj….”- tha Arben Taravari – kryetar i ASH.

Nga ana tjetër deputeti i Aleancës për Shqiptarët Remzi Memedi, i cili mbështetë Selën, në emisionin 10 minuta tha që më 18 shkurt me shumë mundësi do të zgjedhet kryetari i ri i partisë dhe do të vendoset si do të garojnë në zgjedhje. Në krahun e Selës për momentin ka një vendim për të garuar vet në zgjedhje, por Memedi nuk e përjashtoi mundësinë që të diskutohet edhe koalicioni me partitë tjera.

“Sigurisht që pas Kongresit, me kryetarin e ardhshëm që do ta nxjerrë kongresi do të thirret një kuvend dhe do të hapet ky diskutim se me cilin do të koalicionojmë apo diskutimi që veçmë e kemi si vendim të kryesisë qendrore që ka qenë një vendim unanim të të gjithëve që ne mund të garojmë edhe vet në zgjedhje.”- Remzi Memedi – deputet i ASH.

Memedi thotë se ASH nuk mund të koalicionojë me opozitën shqiptare përshkak se më herët kanë qenë të zhgënjyer nga koalicionet me ta dhe të njëjtët kanë penguar ndryshimin që ka dashur ta sjellë ASH. Përndryshe Aleanca për Shqiptarët tanimë disa ditë po funksionon me dy krahë, njëri në krye me Taravarin i cili dëshiron të bashkëpunojë me opozitën shqiptare dhe nga ana tjetër krahu i Selës i cili ka vendim për të garuar vet në zgjedhje.