Tanket Leopard 2: Çfarë janë dhe si mund t’i ndihmojnë Ukrainës?

TË FUNDIT

Pas trysnisë së madhe nga aleatët e saj, Gjermania ka miratuar të mërkurën e 25 janarit dërgesat e tankeve të teknologjisë së lartë për beteja, Leopard 2, të cilat Ukraina dhe mbështetësit e saj më të mëdhenj perëndimorë shpresojnë se do t’i ndihmojnë ndjeshëm Kievit në luftën kundër pushtuesve rusë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka konfirmuar se Berlini nuk do të paraqesë asnjë pengesë që Polonia – mbështetësja më e zëshme e Ukrainës ndër fqinjët nga Bashkimi Evropian – të dërgojë, siç ka kërkuar, tanke Leopard 2, nga arsenali i saj, matanë kufirit, në Ukrainë. Dhe, Gjermania po ashtu ka vendosur që edhe vetë t’i dërgojë Ukrainës tanke të tilla, teksa më herët kishte paralajmëruar se implikimet e një hapi të tillë duhej të shqyrtoheshin me kujdes.

I hedhim një vështrim rëndësisë së këtyre tankeve për mbrojtjen e Ukrainës përballë forcave ruse – dhe shpresave për zmbrapsjen e tyre.
Çfarë është Leopard 2?
Krauss-Maffei Wegmann, prodhues i Leopard 2-shit, e cilëson atë si “tankun më të mirë në botë për betejë”, i cili për gati gjysmë shekulli ka kombinuar aspektet e fuqisë, mbrojtjes, shpejtësisë dhe manovrueshmërisë, duke e bërë atë të përshtatshëm për shumë lloje të situatave të luftimit.

Tanku me peshë prej 55 tonësh ka vend për një ekuipazh prej katër personash, rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash dhe shpejtësi maksimale prej rreth 68 kilometrash në orë. Versioni më i hershëm i tankut, i cili tani ka katër variante kryesore, hyri në përdorim në vitin 1979. Arma e tij kryesore është një top 120-milimetërsh, ndërsa ai ka një sistem krejtësisht digjital të kontrollimit të të shtënave.
Sa mund t’i dërgohen Ukrainës?
Një element tërheqës i tankeve të prodhuara nga Gjermania është numri i tyre: Më shumë se 2.000 të tilla janë dërguar në mbi dhjetë vende evropiane dhe në Kanada. Në përgjithësi, Krauss-Maffei Wegmann thotë se mbi 3.500 tanke u janë dërguar 19 vendeve.

Rheinmetall AG, një kontraktues gjerman i mbrojtjes, i cili prodhon topin 120-milimetërsh për Leopard 2-shin, thotë se tanku përdoret “nga më shumë shtete se cilido tjetër lloj”.

Sipas një analize të fundit nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, një qendër analitike globale me seli në Londër, rreth 350 Leopardë – të versioneve të ndryshme – janë dërguar në Greqi, ndërsa Polonia ka rreth 250 të tillë. Finlanda i ka 200 në përdorim apo në magazina./REL