“TALIRI” SHTYHET PËR SHKAK TË MUNGESËS SË PËRFAQËSUESIT TË VMRO-DPMNE-së

TË FUNDIT

Për shkak të mungesës së Igor Janushevit dhe Naum Stoilkovskit, të cilët janë përfaqësues të autorizuar të VMRO-DPMNE-së, seanca gjyqësore për rastin “Talir” të Prokurorisë Publike Speciale, u shty për më 16 maj.

Para se të nisë seanca, avokati i njërit prej të akuzuarve, Donçe Nakov, e informoi kryetarin e trupit gjykues, Osman Shabanin, se për shkak të obligimeve që i kanë me fushatën për zgjedhjet presidenciale, përfaqësuesit e partisë nuk mund të marrin pjesë në gjykimin e sotëm. Prokurorja Lençe Ristovska tha se bëhet fjalë për tentim nga ana e të akuzuarve për ta zvarritur procesin, duke e informuar gjykatën sot, e jo disa ditë më parë. Ajo propozoi që partia të autorizojë më shumë persona, të cilët do të mund të marrin pjesë në seancat gjyqësore. Gjykatësi Shabani, e shty gjykimin dhe publikisht ia tërhoqi vëmendjen VMRO-DPMNE-së.
Ndryshe, në rastin “Talir” Nikola Gruevski, Kiril Bozhinovski dhe Mile Janakieski, akuzohen për “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimit” dhe “larje parash”, kurse Ilija Dimovski, Leko Ristoski dhe Elizabeta Çingarovska ngarkohen vetëm për veprën “larje parash”. Për veprën e njëjtë, si subjekt juridik, në këtë aktakuzë është e përfshirë edhe partia VMRO-DPMNE.