Taksa ekologjike, Iseni: Bizneset do të rrisin çmimet, do të rëndohet ekonomia

TË FUNDIT

Taksa ekologjike e derivateve nuk do të ulë në mënyrë drastike konsumin, por çmimet e larta në mënyrë negative do të ndikojnë në buxhetin e qytetarëve si fuqi konsumuese që paraqet themel të Bruto prodhimit vendor, thonë ekspertët ekonomik. Sipas drejtorit të OEMVP, Drilon Iseni, kjo do të ndikojë edhe në punën e ndërmarrjeve.

“Ne vlerësojmë se kjo mund ta çimentojë trendin e rritjes së çmimeve, ndërsa duke pasur parasysh se vitin e kaluar u vendos akcizë, kështu që ky është shpenzim shtesë posaçërisht për kompanitë që punojnë në sektorin e transportit dhe logjistikës. Kjo sigurisht do të reflektojë edhe te bizneset të cilat do të jenë të obliguara të rrisin çmimin e shërbimeve dhe normalisht kjo do ta rëndojë ekonominë dhe do të ngadalësojë fuqinë e blerjes së veprimtarisë së kompanive”, vlerëson Drilon Iseni.

Nga OEMVP vlerësojnë se nuk është koha për vendosjen e taksave dhe shpenzimeve shtesë për kompanitë dhe qytetarët në kohë kur ekonomia ka nevojë për lehtësime dhe mjete likuide.

“Periudhën e ardhshme e rimëkëmbjes është shumë e rëndësishme në përgjithësi edhe për bizneset edhe ekonominë. Ne do të kërkojmë nga Qeveria që të tërhiqet kjo taksë me qëllim që të prolongohet eventualisht për në të ardhmen për shkak se në këtë moment vlerësojmë se është hapë i gabuar i Qeverisë”, shton më tej Iseni.

Ditë më parë, ministri i Financave, Fatmir Besimi, pohoi se taksa ekologjike nuk do të ketë ndikim në inflacionin dhe pohon se ajo do të jetë 2,1% si dhe se rasti do të jetë në gjysmën e dytë të vitit dhe do të ketë karakter të përkohshëm.