Takim Mexhiti – Veliaj: Intensifikohet bashkëpunimi Çair – Tiranë

TË FUNDIT

Intensifikimi i bashkëpunimit në projektet me interes të përbashkët, ishte marrëveshja që u diskutua gjatë takimit ndërmjet Izet Mexhitit, kryetar i komunës së Çairit dhe Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës.

Në takimin në Tiranë, Mexhiti dhe Veliaj diskutuan për vendosjen e lidhjeve më të ngushta të bashkëpunimit  si dhe shkëmbimit të përvojave që synojnë krijimin e kushteve për përmirësimin e zhvillimit ekonomik lokal.

Me kryetarin e Çairit në Tiranë ishte edhe dr. Skender Asani, drejtor i Institutit të Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, i cili në takim informoi për punën e këtij institucioni shkencor dhe mundësitë për bashkëpunim të mëtutjeshëm me institucionet të ngjashme në Shqipëri.

Në suaza të këtij takimi, fokus i veçantë iu përkushtua edhe bashkëpunimit të përbashkët në fushën e kulturës me qëllim të afrimit sa më të madh të qytetarëve dhe krijimin e vlerave të reja kulturore.

„Qëllimi ynë është të krijojmë projektet të përbashkëta të cilat do të jenë urë në mes qytetarëve dhe do të krijojnë mundësi për bashkëpunim, afërsi më të madhe dhe shkëmbimin e përvojave dhe njohurive.  Projektet e përbashkëta në mënyrë plotësuese bartin edhe mundësi për sigurimin e një baze të mirë për ndërtimin e vlerave që lidhin atë që quhet shpirti i vlerave evropiane si një prioritet i jonë i përbashkët”,  tha Mexhiti pas takimit.

Ai shfrytëzoi këtë takim edhe për ta informuar Veliajin për projektet vijuese që i realizon Komuna e Çairit, duke i vënë theks të veçantë projekteve të financuara nga IPA programet, si mundësi për bashkëpunim në të ardhmen.

Përkundër këtij takimi, Mexhiti dhe Asani u takuan edhe me Ilir Kernin, drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, ku shqyrtuan mundësitë për bashkëpunim në fushën e kulturës dhe artit. Në kornizë të vizitës në Tiranë, Mexhiti realizoi takime edhe me Gudar Bekiraj, nënkryetarin e Akademisë Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, ku u dakordua bashkëpunim në projekte të interesit të përbashkët.