Dy partnerët e koalicionit qeverisës, Dimitar Kovaçevski dhe Ali Ahmeti, nuk janë kundër takimit të liderëve të partive politike të cilin e kërkon kreu opozitar Hristijan Mickoski, po thonë se takimi nuk duhet të bëhet me presione dhe imponim temash, siç janë zgjedhjet e parakohshme.
“Shantazhe se o do të flitet për këtë, ose nuk do të ketë takim, unë nuk pranoj! Kërcënime, edhe atë kërcënime fëmijërore, të tipit keni edhe 5, 4, 3 ditë, numërime, kjo është e kaluar! Jemi shtet demokratik, nëse mendon kreu i VMRO-DPMNE-së se ende jeton në kohën e paraardhësit dhe mentorit të tanishëm, kur organizoheshin zgjedhje çdo 2 vjet, kur atij i përshtateshin, atëherë gënjehen!”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.
Kreu i integristëve Ali Ahmeti thotë se asgjë të keqe nuk ka në mbledhjen e liderëve në një takim, por jo me kushtëzime dhe imponime, por mund të flitet për tema të caktuara.
“Tema të rëndësishme që kanë të bëjnë me përparimin e politikave të vendit, mund edhe të bëhen. Në këtë situatë do të doja ta theksoja që është me shumë rëndësi që të ketë takime, konsulta, me rëndësi është të mbyllet çështja, kontesti me Bullgarinë, që është kontest që ne na pengon drejt avancimit dhe çeljes së negociatave me BE-në dhe sigurisht që na duhet një konsensus etnik dhe politik, sepse kapërcimi dhe zgjidhja e këtij problemi forcon paqen, stabilitetin, sigurinë dhe relaksimin e raporteve mes fqinjëve”- pohoI Ali Ahmeti, kryetar i BDI.
Ditë më parë kreu i partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, që deri më 10 maj të ketë takim liderësh, ku do të flitej dhe caktoheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
