Kryeministri Zoran Zaev, sot realizoi takim me Hironori Savada, ambasadorin e sapoemëruar të Japonisë në vend, në të cilin ambasadori e përgëzoi Qeverinë për ballafaqimin me gjendjen shëndetësore në vend, si dhe hapat e suksesshëm me të cilat vendi ynë u bë anëtare e NATO-s dhe kontribuon drejt hapjes së perspektivave drejt BE-së.
Siç kumton shërbimi qeveritar për shtyp, në takim u theksua se Japonia i mbështet integrimet evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Zaev e falënderoi ambasadorin Savada për ndihmën e Japonisë në pajisje mjekësore dhe ilaçe për vendin tonë, si dhe mbështetjen në planin ekonomik dhe politik. Bashkërisht u konstatua se ekziston një zhvillim pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve, për të cilat janë konstatuar edhe mundësi për përparime të mëtejshme, shtohet në deklaratë.
Në takim janë paralajmëruar përpjekje për një numër më të madh investimesh nga kompanitë japoneze në vend. Japonia është gjithashtu e përkushtuar për mbështetje të fortë në fushën e ekonomisë dhe çështjeve sociale.
Në takim u diskutua për promovimin e bashkëpunimit në infrastrukturë, energji, transport, sektorin digjital midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Japonisë, i cili në kuadër të partneritetit strategjik me BE-në, bashkëpunon në këtë drejtim me Unionin.
