Infrastruktura rrugore në komunën e Tearcës, ka qenë një nga temat e rëndësishme për të cilat u diskutua në “Debate zgjedhore” në TV21.
Kandidati i AKI-së për kryetar të kësaj komune, Nazim Taipi tha se do t’i japë fund rrugëve me bekatone, ndërkaq premtoi infrastrukturë të standardit të lartë.
“Është me rëndësi të ruhet standardi. Kryetari e ka për obligim. Këtu është problemi, sepse nëse shtrojmë rrugë sa për sy e faqe, ato rrugë nuk kanë as jetëgjatësi. Disa rrugë janë në proces, tenderi është i hapur dhe mjetet janë ndarë”, tha Taipi.
I reagoi kundërkandidati nga VLEN, Daut Memishi duke i thënë se mund të dalë t’i promovojë, pasi sipas tij, tashmë janë ndarë mjetet për këto projekte nga granti i Qeverisë.
“Edhe projektet të cilat i përmend kundërkandidati, janë projekte të cilat janë garantuar nga granti i Qeverisë dhe për ato tashmë është hapur tenderi. Nëse arrin t’i realizon, mund të dalë edhe t’i promovojë – mua s’më pengon aspak dhe do ta përgëzoj sepse është grant që për herë të parë iu nda të gjitha komunave duke mos anashkaluar asnjë komunë as në baza etnike e as partiake. Me sa jam i informuar është fshati Dobrosht, fshati Përshefc dhe dy rrugë në fshatin Sllatinë, ka dhe një rrugë në fshatin Gllogjë”, tha Memishi.