Vendosja e tabelës pa gjuhën shqipe afër kufirit në Bllacë është bërë nga Fronti Europian konsideron ministri i shëndetësisë, Arben Taravari, pjesë e koalicionit VLEN. Sipas tij, atë ditë kur është publikuar fotografia, kryelajm ishte rikthimi në rigjykim i lëndës për vulat e Aleancës për Shqiptarët, por edhe shpalosja e dyshimeve për tenderë të montuar mes BDI-së dhe deputetit Elmi Aziri. Pikërisht për të larguar fokusin nga këto lajme, Taravari thotë se Fronti Europian shkaktoi një incident të tillë. Sa i përket tabelës, thotë se në Maqedoni tabela pa gjuhën shqipe janë me qindra.
“Dhe çfarë bënë, në mbrëmje e nxorën një tabelë e cila është ndryshuar. Me sa kam informata ajo tabelë është ndryshuar me urdhër të ekipit të ish drejtorit të ndërmarrjes “Rrugë Shtetërore” kështu që u zbardh komplet ajo. Kështu tabela ka me qindra në Maqedoni. Dje apo pardje një portal në gjuhën shqipe, nxori një tabelë në kufi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë edhe aty ishte një gjuhëshe vetëm maqedonisht por asnjëherë s’është dramatizuar”, tha Arben Taravari – ministër i Shëndetësisë.
Për atë se kush mund ta vendoste tabelën pa gjuhën shqipe në Bllacë, u pyet edhe kryeministri Hristijan Mickoski. Ai nuk e di se cili institucion është përgjegjës, por shton se në fakt nuk bëhet fjalë për institucion por për grup njerëzish për të cilët po zhvillohen hetime për krim dhe korrupsion.
“Mendoj se ata tani janë të frikësuar sepse shohin dhe marrin informacione se si hetimi dalëngadalë afrohet tek ata dhe të frikësuar tani reagojnë në këtë mënyrë që të përpiqen me qëllimet e tyre të destabilizojnë shtetin por kjo nuk po u kalon dhe tani ata janë në panik edhe më të madhe dhe kjo është diçka që me të vërtetë duhet t’i brengosë”, u shpreh Hristijan Mickoski – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Përpos publikimit të fotografive të para nga vendosja e tabelës në Bllacë, nga Fronti Europian deri tani nuk u janë përgjigjur akuzave të VLEN se ky akt është pjesë e planit për destabilizim të Frontit Europian. Në pjesën e tabelave, nga atje vetëm kanë theksuar se Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” ka ndërprerë procedurat për ndryshimin e të gjitha shenjave të komunikacionit në autostrada, në përputhje me përdorimin e gjuhës shqipe.