Një iniciativë për formimin e një partie të gjelbër nisi sot nga shoqata “Qytet i gjelbër human”. Disa prej aktivistëve mesditën e së premtes u mblodhën para zyrave të Qytetit të Shkupit me parulla në duar.
Ata duhet të mbledhin 1,000 nënshkrime të qytetarëve në gjithë vendin për ta regjistruar si subjekt politik, përmes një përfaqësuesi juridik, por thonë se nuk do të kenë kryetar. Marjan Kalevski tha se këtë po e bëjnë si pasojë e një ngërçi juridik lidhur me kandidimin e listave të pavarura.
“Po, do të marrim pjesë në zgjedhjet lokale me listë të pavarur, poashtu kemi propozim për kryetar të komunave. Akoma po i shqyrtojmë, nuk është kryer procesi i kandidatëve ku për herë të parë në Maqedoni qytetarët kanë mundësi të vetkandidohen. Ky proces i votimit do të filloj pas 26 korrikut”, tha Marijan Kalevski, Shoqata “Qyteti Gjelbër Human”.
Ata thonë se kjo po bëhet për shkak të mungesës së ndonjë mënyre tjetër për të vepruar, sepse partitë më të mëdha të pushtetit dhe opozitës janë dakorduar që me ndryshimet në kodin zgjedhor, ta rrisin pragun e mbledhjes së nënshkrimeve për të kandiduar me lista të pavarura në zgjedhjet lokale.
Në zgjedhje pretendojnë të marrin pjese edhe nga Lëvizja Arbëria. Bekim Fazliu si themelues e saj me apel deri te kuvendi:
“I bëjmë thirrje Kuvendit që sa më parë të gjejnë rrugëzgjidhje për këtë problematikë që tu mundësohet edhe lëvizjeve qytetare që të marrin pjesë. Ne jemi të gatshëm të dalim si të pavarur në zgjedhje edhe me lista edhe me kandidaturave, përtej pritshmërive Lëvizja ka hasë në përkrahje të fuqishme nga populli”, theksoi Bekim Fazliu, Lëvizja Arbëria.
Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska Davkova tha se ka zhvilluar takim me disa shoqata të cilat kanë shprehur shqetësimin e pengesave për kandidim me lista të pavarura. Ajo tha se për këtë çështje jemi në një vakum juridik sepse Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dy nene 17 dhe 18 të Kodit Zgjedhor
“E vërtetë është nga ajo që e di se ekziston një konsensus i partive në pushtet por edhe të opozitës për propozimet e reja, megjithatë për shkak të shumicës së dyfishtë mendoj se akoma nuk janë votuar këto zgjidhje. Derisa mbetemi me vakumin juridik më duhet ta them se listat e pavarura ose kandidatët përsëri mund të formohen sepse Neni 60 nuk është shfuqizuar, ndërsa në nenin 60 thuhet se kandidatët në zgjedhjet lokale mund të propozojnë partitë politike por edhe qytetarët përmes listave të pavarura”, u shpreh Gordana Siljanovska Davkova, Presidente e shtetit.
Këtë rrugë mund ta ndjekin edhe organizata të tjera. Njëra prej tyre “Shansi për Qendrën” ditë më parë u deklarua se të gjitha mundësitë janë të hapura. Ata thanë që nëse modeli zgjedhor mbetet siç është, padyshim që nuk do të kenë zgjidhje tjetër. Përpos shndërrimit të shoqatës në parti politike.
Edhe kryetari i Parlamentit Gashi tregoi se ende nuk ka marrëveshje politike për modelin zgjedhor, megjithëse Gjykata Kushtetuese ka vendosur tashmë që duhet të miratohet një Kod i ri Zgjedhor, pasi në mars shfuqizoi nenet që rritën numrin e nënshkrimeve që kandidatët e pavarur duhej të mblidhnin.
