Sveçla: Nëse KFOR-i nuk vepron, ne do t’i heqim barrikadat

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se situata e sigurisë në veri të Kosovës është rënduar.

Andaj ai tha se po presin që KFOR-i të veprojë sa më shpejt, por shtoi se nëse kjo nuk ndodh, Kosova do t’i heqë vetë barrikadat.

“Ata [KFOR] kanë kërkuar një kohë që ata vetë të bëjnë largimin e barrikadave. Ne tani po presim që këtë angazhim të tyre ta realizojnë. Por, pasi janë bërë 13 ditë dhe ne kemi policë të bllokuar në stacionin policor Jarinjë dhe Leposaviq, ditët që po numërohen, po u vije fundi. Unë besoj se KFOR-i dhe gjithë faktori ndërkombëtar do të angazhohet maksimalisht që këtë ta bëjnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, për hir të një stabiliteti më të madh, ne po presim që kjo të bëhet nga vetë ata që kanë vendosur barrikadat apo KFOR-i. Por, pritja e ka fundin e saj”, tha Sveçla.

Këto komente ai i bëri gjatë një konference për media në Mitrovicë, duke thënë se kushtet e serbëve, të paraqitura për largimin e barrikadave, janë të nxitura nga Serbia dhe janë për të arritur qëllime politike.

Gjatë protestës në Rudarë të Zveçanit, kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave. Ai kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.