Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha se vendimi i Gjykatës Themelore në rastin “Banjska” është mesazh i qartë se “kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë”.
Megjithatë, ai tha se vendimi do të duhej të ishte “dënim maksimal për të gjithë të përfshirët”.
“Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin”, shkroi Sveçla në rrjetet sociale.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur aktgjykimin në rastin Banjska, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Gjykata i ka dënuar Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq me burgim të përjetshëm, ndërkaq Dushan Makismoviq u dënua me 30 vjet burgim.
