Sveçla dënohet me burgim me kusht për gazin lotsjellës në Kuvend

TË FUNDIT

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është dënuar me një vit burgim me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2018.

Sveçla nuk do të vuajë dënimin me burg, nëse brenda një viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Vendimi është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila e ka dënuar Sveçlën për veprën penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Sveçla nuk ishte i pranishëm në momentin e shqiptimit të dënimit.

Para vendimit, prokurori i rastit kishte kërkuar që Sveçla të dënohej me dy vjet burgim efektiv dhe me gjobë prej 3 mijë eurosh.

Ndërkaq, mbrojtja e Sveçlës tha se nuk e sheh të arsyeshme të paraqesë propozime për dënimin, duke marrë parasysh faktin se i pandehuri nuk e ka pranuar fajësinë.

Sveçla më herët ishte deklaruar i pafajshëm dhe e kishte cilësuar hedhjen e gazit lotsjellës si aktivitet politik. Në atë kohë, si deputet i opozitës, ai kundërshtonte ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Bashkë me Sveçlën, në këtë rast janë të akuzuar edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, si dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Drita Millaku.