Sulme ajrore tronditën Tehranin herët këtë mëngjes, pasi Izraeli njoftoi për një “valë të gjerë sulmesh” ndaj kryeqytetit iranian. Dëshmitarët në pjesën lindore të qytetit thanë se bombardimet ishin të fuqishme dhe se tronditën shtëpitë në atë zonë. Televizioni shtetëror iranian raportoi se sulmet ajrore shënjestruan disa zona të Teheranit në orët e para të mëngjesit.
Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe iraniane, Pir-Hossein Kolivand, tha se nga sulmet amerikane dhe izraelite në Iran janë dëmtuar më shumë se 4 mijë ndërtesa civile. Sipas tij, mbi 3.600 shtëpi dhe objekte civile janë goditur, ndërsa 528 njësi tregtare janë shkatërruar plotësisht. Ai shtoi se tre spitale kanë dalë jashtë funksionit dhe 14 qendra shëndetësore janë dëmtuar.
Nga ana tjetër, ushtria e SHBA-ve njoftoi se një anije iraniane transportuese e dronëve është goditur dhe është përfshirë nga flakët. Anija, e quajtur IRIS Shahid Bageri, është një anije kontejnerësh e modifikuar, që ka një pistë rreth 180 metra të gjatë për dronë.
