Sulme dhe shpërthime në Stamboll

TË FUNDIT

Qyteti më i madh në Turqi, Stambolli, sot ka përjetuar një përshkallëzim të dhunës. Një autobombë shpërtheu para një stacioni të policisë, me ç’rast u lënduan së paku 10 persona, ndërsa vetëm disa orë më vonë u sulmuan edhe konsullata amerikane në këtë qytet. Gjithashtu u raportua edhe për katër policë të vrarë, pas shpërthimit të një bombe në juglindje të Turqisë.
Dhuna në Turqi sa po vjen u po përshkallëzohet dhe qyteti më i madh në Turqi, Stambolli, përjetoi sot dy sulme, me dy persona që hapën zjarr kundër ndërtesës së konsullatës së Shteteve të Bashkuara, i cili ndodhi vetëm disa orë pas shpërthimit të një autobombe afër një stacioni të policisë, me ç’rast u lënduan dhjetë persona.
Raportohet se si pasojë e sulmit kundër konsullatës amerikane nuk ka pasur të lënduar.
Sulmet ndodhën në momentin kur janë thelluar tendosje mes Turqisë dhe kryengritësve nga radhët e Partisë Punëtore të Kurdistanit.
Personat që ndërmorën sulmin kundër konsullatës amerikane u arratisën, pas intervenimit të policisë, por sipas raporteve të medieve turke një prej sulmuesve të dyshuar është arrestuar dhe besohet se është femër.
Dy militantë të dyshuar u vranë gjatë përleshjes me policinë në lagjen Sultanbejli, aty ku ndodhi sulmi me bombë kundër stacionit të policisë. Gjatë kësaj përleshje u vra edhe një policë.
Ndërkohë mediet turke sot raportuan edhe për vdekjen e katër policëve, të cilët humbën jetën pas shpërthimit të një bombe të vendosur skaj rrugës, në juglindje të Turqisë.
Turqia ka ngritur nivelin e gatishmërisë që nga fillimi i fushatës së sinkronizuar ushtarake kundër pjesëtarëve të Shtetit Islamik në Siri dhe kundër pozicioneve të kryengritësve kurdë në veri të Irakut./ 21 Media