Sulme ajrore izraelite në Bejrut, goditen objektiva të Hezbollahut

TË FUNDIT

Shpërthime të fuqishme dhe shtëllunga të mëdha tymi u panë sot në periferinë jugore të Beirutit, pasi Izraeli kreu një valë sulmesh ajrore ndaj objektivave të Hezbollahut në Liban.

Ushtria izraelite publikoi pamje për të cilat tha se tregojnë sulme ajrore ndaj infrastrukturës së Hezbollahut, duke synuar një qendër komanduese të këshillit ekzekutiv dhe një objekt ku ruheshin dronë pa pilot që, sipas Forcave Ajrore izraelite, përdoreshin për sulme kundër Izraelit.

Ushtria izraelite kishte paralajmëruar banorët të evakuonin menjëherë zonën, ndërsa dy spitale larguan pacientët dhe stafin. Nuk ka raportime të sakta për viktima nga këto sulmet. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë e Libanit tha se numri i të vdekurve ka arritur në 123 që nga rifillimi i përleshjeve mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Kryeministri i Libanit, Nawaf Salam, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta ndihmojë Libanin mes rifillimit të armiqësive ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut, duke paralajmëruar se “një katastrofë humanitare po afrohet” për shkak të zhvendosjeve masive. Salam kritikoi si Izraelin ashtu edhe Hezbollahun për krizën aktuale, duke thënë se shteti dhe populli libanez “nuk e zgjodhën këtë luftë”.